Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 7 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Antikat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës dhe u finalizua pas tri javë hetimesh.  Sekuestrohen dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore. Veprat do shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.  Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas disa javë hetimesh të kryera për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Antikat”. Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Currilave, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë në tentativë për shitje të dy veprave të antikitetit, shtetasit A. V., 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetin tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit dhe A. V., 37 vjeç dhe R. Z., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.  Shtetasi A. V. siguronte veprat e artit, ndërsa dy shtetasit e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre.  Vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim.

Elbasan – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor “Xibraka”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me forcat e posaçme “Shqiponja”. Sekuestrohen rreth 33 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, automjeti ku u gjet lënda narkotike dhe dy aparate celular. Vihet në pranga 47- vjeçari që posedonte dhe transportonte lëndën narkotike. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte një sasi lënde narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Xibraka”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 47 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas u kap në fshatin Xibrakë, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd dhe gjatë kontrollit të mjetit tip “Fiat” që drejtonte ky shtetas, specialistët për Hetimin e  Narkotikëve, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 33 kg lëndë narkotike kanabis. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  Materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Vlorë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Finalizohet operacioni i koduar “Mesdita”. Vihet në pranga nga Policia një shtetas në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Operacioni nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana dhe Departamentin e Policisë Kriminale, bënë të mundur lokalizimin në lagjen “Pavarësia”, Vlorë dhe arrestimin provizor të shtetasit shqiptar A. Z., 44, vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Brescias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga ligji italian dhe Dekreti i Presidentit Italian për Drogat. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Rinas – Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve të imtësimshme evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për transfertë të paligjshme të parave. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 18500 euro. Procedohet penalisht 46-vjeçarja, poseduesja e shumës së eurove, për veprën penale Penal “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”. Në vijim të kontrolleve të shtuara nga ana e Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë, në dalje të RSH-së, në aeroportin e Rinasit, pas analizës së riskut, kanë ndaluar  shtetasen F. Ç., 46 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila kishte kaluar zonën e skanerit. Gjatë kontrollit fizik, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë gjetur në çantën e dorës 18500 euro, të padeklaruara në degën e doganës Rinas. Në përfundim të veprimeve shtetasja F. Ç. u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Mos deklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime te mëtejshme.

Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor “TRANSFERTA”. Vihen në pranga 9 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër, për veprimtari të kundërligjshme në fushën e mashtrimit kompjuterik. Gjatë operacionit janë sekuestruar prova që faktojnë autorësinë e personave të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Shtetasit e arrestuar kanë përfituar rreth 38000 euro nga mashtrimet nëpërmjet adresave në rrjetin social Facebook. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, nga Sektori për Hetimin e Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas gati një viti hetimesh proaktive, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacionin policor i koduar “TRANSFERTA”. Në kuadër të operacionit u kapën 9 shtetas, për të cilët u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” për shtetasit: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin  Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, për një periudhë 1-vjeçare, kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro. Gjatë operacionit u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqjeje) që faktojnë aktivitetin kriminal të këtyre personave etj.  Ndërkohë vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 27 vjeç dhe u procedua penalisht shtetasi A. D., 43 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi në rrugën “Llambi Bonata”, Kombinat, gjatë kontrollit fizik shtetasit E. D. iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, ndërsa shtetasit A. D. iu gjet një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike metadon. Në momentin e kapjes në flagrancë këta shtetas kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale  “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, i shtetases E. R., 25 vjeçe, sepse në mënyrë sistematike ka kanosur shtetasin H. V., 54 vjeç, për t’i marrë një shumë eurosh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale. Konfiskohen tri llogari bankare të një 66-vjeçari, me vlerë 140 milionë lekë, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve. Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të tre llogarive bankare të shtetasit L. L., 66 vjeç, banues në Fier, llogari bankare që arrinin shumën 140 milionë lekë. Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këtë shtetas, pasi është subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën djali i tij, shtetasi A. L është dënuar në Itali. Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të tjerë të lidhur me të.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 114 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 92 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 5 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 2 në Lezhë, 2 në Shkodër dhe 2 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë se rendit publik”, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, 2 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Moskallëzimi i krimit”, në Gjirokastër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i monedhave”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Fier dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.