Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 7 gusht 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “Klientët”, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Vihet në pranga një 28-vjeçar, pasi shfrytëzonte për prostitucion në qytete të ndryshme, bashkëjetuesen 17-vjeçare dhe një shtetase tjetër 18-vjeçare.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas shfrytëzonte për prostitucion një shtetase 18-vjeçare, të cilën e përdorte edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla, si  dhe një shtetase 17-vjeçare me të cilën bashkëjetonte, kanë organizuar punën duke bërë dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Në bazë të provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klientët”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. M., 28 vjeç, banues në Korçë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas shfrytëzonte për prostitucion në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë, një 18-vjeçare dhe shtetasen e mitur 17-vjeçare, me të cilën bashkëjetonte. Gjithashtu, shtetasi M. M. e ka shfrytëzuar dhe përdorur 18-vjeçaren edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë.  Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet dhe dy telefona. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur’’, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Shkodër – I vodhën automjetin 30-vjeçarit dhe më pas, me anë të mashtrimit, i morën një sasi lekësh duke i premtuar se do t’i gjenin automjetin, Policia vë në pranga 6 persona dhe procedon penalisht një tjetër. Personat e arrestuar, me precedent penal të mëparshëm dhe të dyshuar edhe për disa vjedhje të tjera të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas një pune të mirorganizuar dhe si rezultat i hetimeve të bëra, është bërë arrestimi i shtetasve: S. G., 26 vjeç, banues në fshatin Dragoç, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale “Trafik klandestinësh”; L. N., 36 vjeç, banues në fshatin Dajç, Lezhë, i dënuar më parë për veprën penale “Kallëzim i rremë”; G. T., 25 vjeç, banues në lagjen ”1 Maji”, Shkodër, i dënuar më parë për veprat penale “Përndjekja” dhe “Vjedhja”; V. B., 31 vjeç, banues lagjen ”10 Korriku”, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”; S. H., 40 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër dhe F. H., 46 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në fshatin Mes, Njësia Administrative Postribë, Shkodër, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur automjetin shtetasit E. B., 30 vjeç, banues në fshatin Mes, Shkodër dhe më pas, me anë të mashtrimit, i kanë marrë edhe një sasi parash, duke i premtuar se do t’i gjenin automjetin që i kishin vjedhur. Gjithashtu u procedua dhe ndiqet në gjendje të lirë shtetasi L. N., 46 vjeç, pronar i një servisi. Gjatë kontrollit në banesat e shtetasve të arrestuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 motomjet, 1 automjet, 50.000 lekë dhe 5 aparate celular. Po punohet për gjetjen e mjetit tip “Mercedez Benz”. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të ndodhura më parë në qytetin e Shkodrës.  Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së këtyre vjedhjeve.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.

Tiranë – Policia e Tiranës ka ndëshkuar me 1 milion lekë gjobë, pronarin e një restoranti dasmash, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Paskuqan, një restorant në të cilin organizoheshin dasma në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit.  Për subjektin në fjalë, me pronar shtetasin M. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.  Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 6 shtetas dhe procedohen penalisht 5 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. B., 30 vjeç, si dhe referuan materialet për shtetasin F. D., 35 vjeç, pasi në rrugën “Tom Plezha”, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit K. B., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri me letra dhe çipsa për të luajtur poker dhe tre kompjuterë me programe që përdoren për lojëra fati, ndërsa shtetasit F. D., klient i lokalit, në çantën e krahut, iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një dozë me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. A. dhe F. A., pasi në rrugën “Xhanfize Keko”, gjatë kontrollit fizik shtetasit K. A. iu gjet dhe sekuestrua me cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa, ndërsa shtetasi F. A. ka kundërshtuar me veprime fizike dhe ka kanosur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë, për të shmangur shoqërimin e shtetasit K. A. në ambientet e Policisë. Në vijim të veprimeve janë referuar materialet për shtetasit T. A. dhe E. A. (kushërinj me shtetasit e arrestuar), pasi kanë penguar punonjësit e Policisë për të ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. A.  Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit të mitur me iniciale R. S., 17 vjeç, sepse në rrugën “Hajdar Hidri”, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, ka vjedhur biçikletën e shtetases G. R. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. B., 18 vjeç, si dhe u referuan materialet për shtetasit e mitur me iniciale E. P. dhe E. P. (vëllezër), pasi në rrugën “Tefta Tashko”, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, u kapën duke vjedhur 1 biçikletë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. B. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasen në kërkim K. N., 22 vjeçe, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë 15 ditë burg, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 118 shtetas, konkretisht: 35 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 79 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste: 6 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Vlorë, 2 në Kukës dhe 1 në Dibër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje” dhe 1 rast i “Vrasja” në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autiorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Shkodër, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në Durrës, ku autori arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Dibër dhe 3 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra të licencuar”, në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Vepra të turpshme”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 4 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 3 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.