Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Berat – Vijon kontrolli për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorit. Ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative në mënyrë të kundërligjshme, arrestohet 1 shtetas për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”. Procedohet penalisht edhe transportuesi i pllakave dekorative, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të nxjerrjes së pllakave të gurit në malin e Tomorit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. L., 55 vjeç, banues në Skrapar. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi P. M., 40 vjeç, banues në fshatin Çërrave, Pogradec. Arrestimi i shtetasit B. L. u bë pasi dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë pllaka guri dekorative, në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur. Ky shtetas, materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme, ia ka shitur shtetasit P. M., i cili u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin tip kamion, 9 m3 pllaka dekorative pa dokumentacionin përkatës. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak jashtë vendit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Telekomanda”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Sekuestrohen 1 mitraloz, 1 kallashnikov, municion luftarak, 2 automjete, aparate celularë dhe një sasi lëndë narkotike. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas me precedent të mëparshëm kriminal. Në vijim të punës për mbajtjen e situatës kriminale nën kontroll, parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, të armëve të zjarrit dhe lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të informacioneve disamujore të ndjekura me metoda speciale të hetimit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, kanë goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. P., 47 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Magjat, Kuçovë, i dënuar më parë për falsifikim. Arrestimi i tyre u bë pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit, ku si rezultat u dokumentua aktiviteti i tyre kriminal i trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak jashtë vendit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Në cilësinë e provës materiale shërbimet e Policisë sekuestruan 2 armë zjarri (mitraloz dhe kallashnikov), 822 fishekë, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 2 mjete në pronësi të shtetasve B. H. dhe A. P., si dhe 3 aparate celular, të cilët këta shtetas i kishin në përdorim. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Tiranë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, autorë të dyshuar për disa vjedhje. Zbardhen dhe dokumentohen 5 raste të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje në markete dhe në kioska. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve B. Sh., 18 vjeç dhe A. K., 18 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe proceduan penalisht shtetasin e mitur me iniciale N. E., 15 vjeç. Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke tentuar të vidhnin në kioskën e shtetasit B. Z., në rrugën “Dritan Hoxha”. Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se këta shtetas janë autorët kryesorë të dyshuar për disa vjedhje në qarkun e Tiranës, si më poshtë Më datë 07.06.2020, në Rrugën e Kavajas, kanë vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit S. L.; Më datë 13.10.2020, në rrugën “Pandi Dardha”, kanë vjedhur disa paketa cigaresh në një supermarket; Më datë 22.10.2020, në rrugën “Pandi Dardha”, kanë vjedhur disa paketa cigaresh dhe artikuj të tjerë në minimarketin në pronësi të shtetasit V. K.; Më datë 05.11.2020, kanë tentuar të vjedhin në një kioskë te “Komuna e Parisit”. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 36 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 3 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 3 në Tiranë, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Kukës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedon në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Berat, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “ Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është arrestuar 1 shtetas, në Berat, për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.