Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 nëntor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Interpol Tirana – Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët. Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë 28-vjeçari nga Elbasani, i kërkuar për vrasje. Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.  Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 3 në qarkun Tiranë dhe 2 në Vlorë dhe 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 4 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Janë evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier.

Janë proceduar 10 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.