Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin – Reagimi në kohë i Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me armë, ku për pasojë u plagosën dy shtetas (dajë e nip). Policia zbardhi në kohë rekord ngjarjen dhe shoqëroi personat e përfshirë në konflikt, si dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së dyfishtë, i cili u largua menjëherë pas ngjarjes. Si rezultat i kontrolleve të shumta, rrethimit të zonës dhe pamundësisë për t’u larguar, autori i dyshuar i ngjarjes i është vetëdorëzuar shërbimeve të Policisë. Policia, rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes, ka gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit kallashnikov me të cilën autori plagosi dy shtetasit (dajë e nip). Rreth orës 20:10, në Mamurras, Kurbin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, janë plagosur me armë zjarri shtetasi A. M., 53 vjeç dhe nipi i tij shtetasi K. L, 29 vjeç, të cilët ndodhen për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe shoqërimi në Komisariatin e Kurbinit, i personave të përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi Gj. Sh, djali i tij shtetasin E. Sh. dhe shtetasin P. L. (daja i E. Sh) , si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., djali tjetër i shtetasit Gj. Sh. Shtetasi A. Sh., 26 vjeç, autor i dyshuar i ngjarjes, në pamundësi për t’u larguar është vetëdorëzuar të shërbimet e Policisë disa kilometra larg vendit të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tij në flagrancë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me pasoja të rënda. Vihen në prangat e Policisë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim policor 1 tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas njoftimit të marrë se në fshatin Limjan po ndodhte një konflikt mes disa personave, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me pasoja të rënda. Në fshatin Limjan, janë konfliktuar për motive të dobëta fillimisht shtetasit I. Gj., 29 vjeç e A. Rr., 20 vjeç dhe më pas janë përfshirë në konflikt edhe prindërit e tyre. Si pasojë e këtij konflikti kanë marrë dëmtime shtetasit D. Rr. dhe I. Gj., të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. Gj., 56 vjeç dhe D. Rr., 48 vjeç, banues në fshatin Limjan, Dibër, si dhe është shpallur në kërkim policor shtetasi A. Rr, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Plagosja e lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Dhunim i banesës”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për hetime të mëtejshme.
Tiranë – Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti mes dy personave. Vihet në pranga 45-vjeçari që tentoi të vriste me thikë kunatin e tij, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Emin Duraku” kishte konflikt mes dy shtetasve, ku një prej tyre kishte goditur me thikë shtetasin tjetër, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar në vendin e ngjarjes, shtetasi R. R., 45 vjeç, është larguar me shpejtësi. Në ndjekje të tij janë vënë forca të shumta të Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe pas disa orë ndjekjeje dhe kontrollesh kanë bërë të mundur kapjen e tij. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit R. R., pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta goditi me thikë kunatin e tij shtetasi A. B. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Kakavijë – Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës së kontrabandës me medikamente mjekësore. Sekuestrohet një sasi e konsiderueshme ilaçesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës. Procedohet penalisht poseduesi i medikamenteve. Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kamionët në dalje dhe në hyrje në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, është parandaluar dhe goditur një rast i tentativës së kontrabandimit të medikamenteve mjekësore. Punonjësit e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Gjirokastër, mbrëmjen e djeshme, gjatë kontrollit të ushtruar në hyrje, në mjetin tip kamion, të cilin e drejtonte shtetasi K. D., gjetën të fshehura në kabinën e mjetit një sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore (ilaçe), të cilat ky shtetas ka tentuar t’i futë kontrabandë në Republikën e Shqipërisë. Pas veprimeve të kryera hetimore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasin K. D., 42 vjeç, banues në Dropull, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 47 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 3 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 3 shtetesh, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Vlorë, 1 në Dibër dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë..
Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Korçë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.