Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 gusht 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Gjirokastër – Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në datën 05.08.2020, në aksin rrugor Poliçan-Suhë, ku u gjet i pajetë 57-vjeçari G. S. Pas 6 orë kërkimesh dhe kontrollesh në të gjithë zonën u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar të vrasjes. Policia gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S.,  strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes. Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e  Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit. Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë. Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 03.08.2020, në rrugën nacionale Fushë Krujë – Vorë, në kryqëzimin e rrugës së Rinasit, ku u vra me armë zjarri 71-vjeçari A. B. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes. Gjatë operacionit u vu në pranga edhe një 29-vjeçar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën armë dhe drogë. Si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe të pandërprerë për zbulimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, falë provave të siguruara, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, u zhvillua operacioni Policor “Brothers”, në kuadër të të cilit u bë i mundur, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht i dy vëllezërve S. Sh., 32 vjeç, i dënuar më parë dhe A. Sh., 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij operacioni dhe kontrolleve të befasishme të kryera në disa banesa të dyshuara, Policia arrestoi në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”,  shtetasin G. Ç., 29 vjeç, lindur në Fushë Krujë. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e biznesit të 29-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe  sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri pistoletë, një shotgun, 60 gr. lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi të konsiderueshme në lekë, euro, paund, dollarë e franga zvicerane, një aparat celular dhe një automjet tip “Mercedes Benz”. Nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Berat – Policia e Beratit ka ndëshkuar me 1.000.000 lekë gjobë, pronarin e një restoranti, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në rrugën nacionale Berat – Lushnjë, një restorant në të cilin ushtrohej aktivitet, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.  Për subjektin në fjalë, me pronar shtetasin I. D., banues në  Berat, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë. Policia e Beratit apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Shkodër – Kundërshtuan punonjësin e Policisë për të hyrë në Gjykatë, arrestohen 3 shtetas.  Strukturat e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, arrestuan shtetasit E. M. 20 vjeç, P. P., 55 vjeç dhe R. K. 66 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi kanë kundërshtuar punonjësin e policisë së rendit publik, duke hyrë në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për të kërkuar informacion lidhur me caktimin e një seance gjyqësore, pas një padie të bërë nga këto persona në Gjykatë.  Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Durrës – Qëlluan me armë zjarri në ajër, Policia identifikon dhe arreston në kohë rekord autorët. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore të mirorganizuar dhe profesionale, brenda pak orëve kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e një ngjarjeje të ndodhur në lagjen nr. 15 Durrës, ku dy shtetas qëlluan në ajër me armë zjarri.  Në sajë të veprimeve hetimore të menjëhershme kanë identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit D. M., 34 vjeç dhe K. M., 49 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Këta dy shtetas dyshohet se kanë qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, gjatë kohës që kanë qenë duke udhëtuar së bashku me një mjet tip “Audi”, i cili është sekuestruar si provë materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 shtetas, dy prej tyre të shpallur në kërkim. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, i shtetasit L. S., 44 vjeç, pasi pranë mbikalimit të Casa Italia-s i ka vjedhur shtetases E. Q., me dhunë, nga qafa, varësen e floririt. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. I., 24 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, sepse në rrugën “Bregu i Lumit, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dashurës së tij 21-vjeçare dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 25 vjeç, pasi në rrugën “Irfan Tomini”, ka vjedhur në banesën e shtetasit R. D., 200.000 lekë të rinj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua gjysma e shumës së lekëve të vjedhur. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja”, i shtetasit E. T., 35 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes dhe i ka vjedhur me forcë një shumë parash. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. H., 38 vjeç, pasi në autostradën Marikaj-Vorë, u kap duke drejtuar pa lejen përkatëse një motoçikletë pa targë. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin S. K., 43 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasin A. T., 62 vjeç, banues në Laknas, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 7 muaj e 5 ditë burg, për veprën penale “Dhuna në familje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 28 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 62 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Fier;  3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Lezhë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 2 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë; 3 në Durrës, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së enegjnisë elektrike, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Lezhë, 1 në Dibër dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste  të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Durrës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me dhunë”, në Tiranë, ku autori ëshët arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Shkodër, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Armëmbajtja pa leje”, në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fsheha e të ardhurave”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 6 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 3 në Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Fier, 2 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.