Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga 1 shtetas i dënuar nga drejtësia italiane për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, në rrugën “Myslym Shyri”, ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit Albert Bulcari alias Mirash Hani. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e e Apelit Torino/Itali e ka dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 7 ditë burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Durrës – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me “Shqiponjat”, kanë goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Sekuestrohen 13 doza me lëndë narkotike kokainë. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre, procedohen penalisht dhe 2 shtetas të tjerë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, bazë të informacioneve të siguruara nga Sektori për Hetimin e Krimeve se një shtetas merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe ushtruan kontroll në një lokal në Hamallaj ku ndodhej shtetasi A. K. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u gjetën 13 doza me lëndë narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 24 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Hamallaj (pronari lokalit), për veprën penale “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”, pasi gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të tij u gjetën 6 fishekë dhe shtetasi L. B., 31 vjeç, banues në Hamallaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike marijuanë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 doza me lëndë narkotike kokainë, 6 fishekë, një sasi lënde narkotike marijuanë dhe një peshore elektronike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan janë arrestuar në flagrancë shtetasit M. J., 29 vjeç, banues në Elbasan dhe B. H., 33 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan. Në fshatin Kusarth, Elbasan, shërbimet e Policisë, pasi kanë konstatuar se shtetasi M. J. drejtonte mjetin në gjendje të dehur, kanë ushtruar kontroll ndaj tij dhe ndaj pasagjerit, shtetasit B. H. Gjatë kontrollit fizik, drejtuesit të mjetit iu gjet një sasi e vogël e dyshuar lëndë narkotike kanabis, ndërsa pasagjerit iu gjetën 3 doza me lëndë narkotike kokainë. Në përfundim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor Belsh-Kuçovë, nê fshatin Dëshiran, si pasojë e të cilit ndërroi jetë drejtuesi i motoçikletës, shtetasi S. B., 59 vjeç, banues në fshatin Dëshiran dhe u dëmtua shtetasja Z. Z., 42 vjeçe që udhëtonte në motoçikletë me këtë shtetas, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën, specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave tê qarkullimit”, shtetasen A. Gj., 39 vjeçe, banuese në Elbasan. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin F. T., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se në fshatin Grekan, Belsh, ka tentuar të vjedhë me thyerje banesën e shtetasit Y. K. Në afërsi të kësaj banese është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz” me targa të vjedhura në fshatin Kosovë e Vogël, Lushnjë, brenda të cilit mjetit u gjetën edhe targat origjinale. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan të dy targat e mjetit, disa vegla pune dhe një kapuç i zi që u gjetën në këtë mjet. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit J. S., 23 vjeç, banues në Gjirokastër, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Vlorë – Arrestohen 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi i shtetasit F. C., banues në Vlorë, pasi ka tentuar të vjedhë bagëtitë e një shtetasi. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Z. A., 40 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe pa lejen përkatëse. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Berat – Më datë 04.01.2021 u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. D. 65 vjeç, banues në Ura Vajgurore, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht me veprime dhe fjalë të turpshme një shtetase të mitur (bazuar në kallëzimin e saj).
Korçë – Shkeli rregullat e qarkullimit rrugor, aksidentoi një këmbësor dhe më pas u largua nga vendngjarja, ndalohet autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur para 4 ditësh. Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 01.02.2021, në lagjen nr. 18, në Korçë, në të cilën një automjet aksidentoi një këmbësor dhe më pas u largua nga vendngjarja, bënë të mundur identifikimin dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit F. M., 19 vjeç, banues në Korçë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka urdhëruar ndalimin e tij pasi ky shtetas duke drejtuar automjetin tip “Ford Focus”, ka aksidentuar shtetasin J. Zh., 80 vjeç, banues në Korçë, i cili aktualisht ndodhet në Tiranë jashtë rrezikut për jetën dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua mjeti tip “Ford Focus”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 23 janë arrestuar dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 13 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 2 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi mjeteve motorike”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 2 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Lezhë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.