Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 nëntor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 1 nëntor, në Durrës. Më datë 01.11.2019, rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, në ndjekje e sipër, persona të paidentifikuar duke udhëtuar me një mjet tip “Benz” kanë qëlluar me armë zjarri nga mjeti i tyre për të vrarë shtetasit A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, A. M., 24 vjeç dhe A. L., 46 vjeç, të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Benz”, të Prokurorit A. N., ku për pasojë kanë mbetur të plagosur të tre këta shtetas. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës e Tiranë, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë. Njëkohësisht, forca të shumta policie në disa Drejtori Vendore ngritën pika kontrolli dhe ushtruan kontroll të gjerë të territorit për kapjen e autorëve. Si rezultat i kontrolleve të shpejta, në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohe të shkurtër në fshatin Shkafane, Durrës është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera. Në vijim të veprimeve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja  kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë. Si rezultat i këyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzaminim të mëtejshëm. Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e aryeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorëve të Krimeve të Rënda po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkojnë mirëkuptimin e medias që të tregohen të kujdesshëm në dhënien e informacioneve për publikun, të cilat cënojnë vijimin e hetimeve. Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është tërësisht e angazhuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Policia e Shtetit fton qytetarët që të telefonojnë në 112 apo Komisariatin Dixhital për çdo informacion të mundshëm për këtë ngjarje dhe për çdo paligjshmëri tjetër, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Shkodër – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për shpërdorim detyre. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, është bërë kapja e personit të shpallur në kërkim, shtetasit Ardian Loci, 48 vjeç, banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim nr. 243, datë 21.06.2019 e ka denuar me 1 vit e 10 muaj burg, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Qëllon me armë zjarri në ajër, arrestohet në flagrancë nga Policia. Sekuestrohet një armë zjarri dhe një krehër me 5 fishekë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: K. V., 21 vjeç ,banues në Laç, Kurbin. Ky shtetas, në lagjen nr. 5, Laç, Kurbin, ka qëlluar me armë zjarri në ajër disa herë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë u gjetën 1 armë zjarri automatik P.M.SH dhe 5 fishekë.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në qarkun Dibër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 3 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 1 në qarkun Durrës, 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 13 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Shkodër, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Durrës.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Fier.

Janë proceduar 2 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.