Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Krujë – Policia e Krujës godet një rast të prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni “Derveni 2”, në pranga një shtetas. Sekuestrohen 19 kg Canabis Sativa. Efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Derveni 2”. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Strukturat Policore se një shtetas në fshatin Derven ushtron veprimtari të paligjshme në fushën e lëndëve narkotike, menjëherë u organizuan Shërbimet duke e goditur këtë rast dhe arrestuar në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, shtetasin A. Gj., 50 vjeç. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 19 kg lëndë narkotike e dyshuar Canabis Sativa, tre aparate celularë dhe DVR. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.
Vlorë – Finalizohet operacioni i koduar “Blic”. Qarkullonte me armë zjarri nëpër qytet, vihet në pranga 35-vjeçari. Në vijim të punës intensive për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, strukturat e Policisë së Vlorës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri nëpër qytet, menjëherë organizuan punën në grup dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Blic”. Si rezultat i këtij operacioni, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, u bë kapja e menjëhershme e tij në bulevardin “Ismail Qemali”, Vlorë. Gjatë kontrolli fizik 35-vjeçarit i sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe 4 fishekë. Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni për Hetimin e Krimit arrestoi në flagrancë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, shtetasin A. Xh., 35 vjeç, banues në Fier. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Durrës – Policia e Durrësit godet një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Në pranga dy shtetas që shpërndanin lëndën narkotike. Sekuestrohen doza lënde narkotike, thikë, kaçavidë dhe një maskë. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga ana e Strukturave Policore se në lagjen Nr. 5 të qytetit të Durrësit dy persona shpërndanin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe gjatë kontrollit kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit J. R., 18 vjeç dhe E. XH., 16 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik Policia u gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale lëndë narkotike të dyshuar marjuanë, e ndarë në doza, me qese farmaceutike të gatshme për shpërndarje, një thikë, kaçavidë dhe një maskë në formë kapuçi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Morinë, Kukës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Emigranti”. Goditet një rast i dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Kukës. Arrestohet në flagrancë një shtetas, që po transportonte drejt Kosovës 25 shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme. Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, personave nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët kanë si destinacion final vendet e BE-së, gjatë mbrëmjes së djeshme kanë goditur një tjetër rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit, në vendin e quajtur “Nënkalimi Rexhaj”, në afërsi të PKK dhe kanë bërë ndalimin e automjetit tip fugon, me drejtues shtetasin T. LL., 31 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit në automjet, u konstatuan 25 shtetas të huaj irakianë, iranianë dhe sirianë, të cilët nuk dispononin dokumente identifikimi dhe do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Më pas është njoftuar Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Kukës, ku pas përfundimit të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. Ll, 31 vjeç, banues në Lurth, Mirditë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, si dhe u referuan materialet për veprime të mëtejshme në Prokurorisë e Rrethit Gjyqësor Kukës.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 32 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 2 në Elbasan dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Kukës dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Durrës, 2 në Lezhë, 1 në Dibër dhe 6 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.