Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 4 maj 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulevardi”, goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta, në doza.  Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2. Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, si dhe shuma parash, të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. L., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në bulevardin “Bajram Curri”, Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin K. L., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde, e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje dhe shuma parash, të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmë”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të pastrimit të parave. Sekuestrohen 87.950 euro, të dyshuara të përfituara nga aktivitete të kundërligjshme.  Procedohet penalisht poseduesi i tyre, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasin G. R., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit, në automjetin  tip “Benz” në pronësi të tij, u gjetën 87.950 euro, për të cilat 30-vjeçari nuk kishte dokumentacion që verteton burimin e ligjshëm të tyre. Nga veprimet hetimore dyshohet se shuma e parave është përfituar nga aktivitete të kundërligjshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e eurove dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Fier – Finalizohet operacioni policor “Informaliteti 3”, për goditjen e rasteve të ushtrimit të aktivitetit në kopshte, pa licencën përkatëse. Goditet brenda një jave, rasti i tretë i kësaj veprimtarie të paligjshme.   Procedohet penalisht pronarja e kopshtit privat, që ushtronte aktivitetin pa licencë, në Fier. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, shtetasen E. K., 46 vjeçe, banuese në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Daullas, në subjektin në pronësi të saj (kopsht privat), u konstatua se ky subjekt nuk ishte licencuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, për kryerjen e këtij aktiviteti.  Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Policia Rrugore e Tiranës arreston në flagrancë 3 drejtues të tjerë mjetesh që drejtonin mjetet e tyre, nën efektin e lëndëve narkotike. Që nga nisja e përdorimit të aparatit AquilaScan, para dy javësh, janë vënë në pranga 7 shtetas që janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet e tyre, nën efektin e lëndëve narkotike. Policia Rrugore e Tiranës, gjatë kontrolleve parandaluese me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt, kanë arrestuar në flagrancë 3 drejtues automjetesh, shtetasit: E. A., 23 vjeç dhe J. M., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”; V. D., 27 vjeç, banues në Selanik, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Gjatë kryerjes së testit të drogës, me aparatin AquilaScan, ka rezultuar se këta shtetas drejtonin mjetet e tyre, nën efektin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi V. D., pasagjerit në këtë mjet, shtetasit A. M. iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 24 janë arrestuar në flagrancë dhe 46 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera më dashje”, me 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 3 raste me 3 autorë që procedohen në gjendje të lirë, si dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, me 1 autor të dyshuar, të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Shkatërrim prone”.

Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 autor të ndaluar.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 autorë të dyshuar, që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 rast i “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, secilin rast me nga 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” është evidentuar 1 rast, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Moskallëzim krimi”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas dhe janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas dhe janë arrestuar në flagrancë 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.