Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tepelenë – Vijon kontrolli intensiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Veliqoti”. Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si dhe kontrollit masiv të territorit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Veliqoti”. Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit R. S., 23 vjeç dhe A. C., 40 vjeç, banues në fshatin Veliqot, Tepelenë, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasi L. B., 79 vjeç, pasi në oborret e banesave të tyre, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara disa bimë narkotike. Kontrolli i territorit nga toka dhe nga ajri duke përdorur dronë do vijojë pandërprerë, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.  Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Në vijim të këtij operacioni goditen edhe dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapen duke transportuar 18 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 5 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve, konkretisht: M. K., 35 vjeç, F. F., 20 vjeç dhe E. L., 23 vjeç, të tre banues në Laç, të cilët u kapën nga shërbimet e Policisë Rrugore në afërsi të fshatit Zëmblak, duke transportuar me tre mjete në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 1000 euro, 15 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm; E. Xh., 21 vjeç, banues në Pogradec dhe F. D., 24 vjeç, banues në Korçë, të cilët në hyrje të qytetit të Pogradecit, u kapën nga Policia duke transportuar me një mjet në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 500 euro, 3 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Shkodër – Ndalohet autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur dje, me datë 29.06.2020, në fshatin Vukatanë, Shkodër. Nga strukturat e DVP Shkodër, në vijim të hetimeve intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, u bë identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit Gj. P. 33 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula” Shkodër, i cili ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ky shtetas u ndalua pasi dyshohet se në orën 12:30, datë 29.06.2020, në fshatin Vukatanë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit në pronësi të DPSHTRR, që drejtohej nga shtetasi F. H., 30 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër. Vijojnë hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Berat – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat kanë bërë arrestimin e shtetasit: M. H., 36 vjeç, banues në Velabisht, Berat. Arrestimi i tij u bë pasi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë në fshatin Velabisht dhe gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet një sasi e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjet një sasi prej 147.25 gr. e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 117 shtetas, konkretisht: 25 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 87 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 autor të ndaluar dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prishja e qetësisë publike”, 1 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar  3 raste të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i dhunimit të banesës, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë 3 raste të “Prishja e qetësisë publike”, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 15 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 2 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.