Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 prill 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Beauty salon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje.Vihet në pranga 1 shtetase. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i saj.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Beauty salon”.Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Z. S., 50 vjeçe, banuese në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B.Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. B. e fshihte sasinë e lëndës narkotike të ndarë në doza, në parukerinë e shtetases Z. S., në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”.  Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarisë kriminale, kapjen e shtetasit A. B., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rast.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lezhë-Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Immigrants” i zhvilluar nga Shërbimet e Qarkullimit Rrugor DVP Lezhë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve DVP Lezhë.Transportonte 5 emigrantë  nga vendet e treta, vihet në pranga 35 vjeçari.Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po lëvizte në rrugë me automjetin e tij ku brenda kishte shtetas të huaj, Shërbimet e Policisë Rrugore në DVP Lezhë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Lezhë, kanë organizuar menjëherë punën duke finalizuar operacionin policor të koduar ” Immigrants”Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë Rrugore në DVP Lezhë, gjatë punës së tyre në akset rrugore,  kanë identifikuar, lokalizuar dhe ndaluar në Fushë Milot, automjetin tip ” Ford” me drejtues shtetasin N.G., ku pas kontrollit në automjet i janë gjetur 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, i cili po i transportonte kundrejt fitimit.Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve Paligjshme, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.G. 35 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale ” Dhënie ndihme për kalim paligjshëm të kufirit”.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.  Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Fier-Kapet autori i ngjarjes së mbrëmshme në fshatin Petovë, Fier.Finalizohet me sukses nga Policia, operacioni i koduar “Ndjekja”.Vihet në pranga 30-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës, i cili gjuajti me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar.Sekuestrohet arma e krimit automatik, një thikë dhe municion luftarak.Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Petovë, Fier, shtetasi A.(M). Ç., 30 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. S., pasi qëlloi me armë zjarri automatik në drejtim të automjetit tip “Ford” në pronësi të shtetasit M. S., 64 vjeç, është larguar nga vendngjarja.Pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe dy grupe të FNSH Fier kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit i cili duke përfituar nga errësira ka arritur të fshihej në pyll dhe të strehohej më pas në një banesë të pabanuar të një familjari të tij.Pas disa orëve ndjekjeje dhe falë angazhimit dhe kontrolleve të shumta të kryera nga forcat e Policisë së DVP Fier dhe Komisariatit të Policisë Fier, në rrugë dhe në ambiente ku dyshohej se autori A. (M). Ç. mund të fshihej, u bë e mundur ditën e sotme kapja e tij dhe gjetja e armës me të cilën ka gjuajtur 30-vjeçari.Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” i shtetasit A.(M). Ç., 30 vjeç, banues në Petovë, Fier, i dënuar më parë për vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim.Materialet do i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 110 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 26 janë arrestuar, 71 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 4 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 18 raste: 1 rast i veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e Policisë; 2 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 3 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 6 raste të veprës penale “Kanosja” me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 8 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 prej të cilëve me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 6 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 8 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, me 2 të arrestuar.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, me 2 shtetas të arrestuar.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 1 tjetër të të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e Policisë dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” është evidentuar 1 rast, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Moskallëzimi i krimit” me 1 shtetas të arrestuar dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të ndaluar.

Është evidentuar 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 3 rastet e tjerë rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt zjarrvënien janë evidentuar 5 raste, 1 prej të cilëve me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 3 raste rezultojnë ngjarje aksidentale, ndërsa për 1 rast vijon puna nga ana e strukturave policore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e tij.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 11 raste, prej këtyre 5 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 6 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprave penale me objekt mashtrimin, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe me 1 shtetas tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu, 3 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 4 raste të veprës penale “Moslëshimi i kuponit tatimor”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu 3 raste të veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave, ndërsa 3 rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 8 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilëve është shënuar 1 viktimë dhe 1 prej aksidenteve shënon vetëm dëme materiale. Gjithashtu, 5 shtetas të tjerë janë dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 13 shtetas të arrestuar dhe 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.