Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 nëntor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”. Goditen 2 raste të tjera në Korçë e Pogradec, të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 4 shtetas. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe Sektorin e Policisë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë goditur dy raste të tjera, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve J. D., 18 vjeç; R. P., 20 vjeç, banues në Korçë dhe E. M., 20 vjeç; J. H., 20 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Podgorie, mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin R. P. dhe pasagjer shtetasin J. P., me të cilin po transportonin 4 emigrantë të paligjshëm.  Si edhe në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjer J. H., duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 400 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 43 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 26 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste:  4 raste të “Kanosja” dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 2 raste me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe është proecduar penalisht 1 tjetër, për “Fshehja e të ardhurave”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.