Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Elbasan/Operacioni policor i koduar “Krasta 2021”. Në vijim të këtij operacioni, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Ardian Çopja, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar edhe një tjetër person, i cili fshihej në ambientet e banesës së shtetasit Ardian Çopja. Është vënë në pranga Ardi Çekani, person në kërkim, i dënuar me 1 vit e 6 muaj për veprën penale “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjet dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 53-vjecarit Çopja, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 5 radio dhe disa uniforma të ngjashme me ato të Policisë. Mëngjesin e djeshëm, RENEA, DVP Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Krasta 2021”, në kuadër të të cilit u vu në pranga Ardian Çopja, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012. Në banesën e tij, në momentin e kapjes, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov. Vijon operacioni për kapjen e personit të shpallur në kërkim Florenc Çapja.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për shtetasin italian në kërkim G. L., 49 vjeç, i kapur nga shërbimet e P. K. K. Rinas, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. P., 26 vjeç dhe I. R., 22 vjeç, pasi në rrugën “Sami Frashëri”, nga kontrolli i ushtruar të zonës përreth ku u konstatuan këta dy shtetas shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar kanabisi, e cila ishte e ndarë me doza, gati për shitje. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 23 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëjetueses. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. P., 29 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi ka tentuar të vjedhë transformatorin e energjisë elektrike. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (për arsye hetimi nuk behën të ditura gjeneralitetet e tyre) janë autor të 5 vjedhjesh banesash dhe dyqanesh në qytetin e Kavajës; V. T., 46 vjeç, pasi në Rrogozhinë, ka ushtruar dhunë psikologjike, si dhe ka përndjekur ish të dashurën e tij, e cila ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje; Q. B., 67 vjeç dhe D. B., 28 vjeç (babë dhe bir), pasi në fshatin Harizaj, Kavajë, kanë goditur me sende të forta I. B., 41 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin E. T., 30 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë (në ambientet e spitalit), për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, shtetasin E. N. (A)., 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe kanë shpallur në kërkim policor për veprën penale “Vrasje me dashje” shtetasin D. B., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme janë konfliktuar për motive të dobëta, duke përdorur mjet prerës (thikë). Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Mat – Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat për veprën penale “Shkatërrim prone”, në ngarkim të shtetasve H. N. dhe E. F., të dy 18 vjeç, banues në Mat, pasi kanë dëmtuar disa dyer dhe kanë thyer xhamat e dritareve të klasave të një shkolle 9-vjeçare.
Berat – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Arrestohen dy shtetas, shpallet në kërkim një tjetër. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. M., 21 vjeç dhe X. M., 27 vjeç, të dy banues në lagjen Uznovë, Berat, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L. Pas informacioneve të marra nga Policia se këta shtetas posedonin lëndë narkotike në mjetin e tyre, nga ana e Policisë, në aksin rrugor Poliçan-Berat, në vendin e quajtur “Qafa e mullirit” u organizua puna për ndalimin e tyre. Shtetasit e lartpërmendur nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, i kanë kundërshtuar ata duke goditur me mjetin e tyre mjetin e Policisë dhe më pas janë larguar nga vendngjarja. Menjëherë shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje për kapjen dhe ndalimin e tyre. Gjatë ndjekjes konstatuan se këta shtetas kanë hedhur nga mjeti i tyre një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 39 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 të “Kanosja”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja e mbetur në tentativë” në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar; 1 rast i “Vrasja e mbetur në tentativë”, në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, 5 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Njoftim i rremë në organet e rendit”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.