Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Dibër – Finalizohet me sukses operacioni policor  i koduar “Tartaj”. Kapen dhe arrestohen 2 persona (vëllezër), me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimit ndaj personit dhe pronës. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër. Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tyre, Strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, si rezultat i një pune të mirëorganizuar dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, në orët e para të mëngjesit të datës 30.07.2019, finalizuan me sukses  operacionin policor të koduar “Tartaj”. Si rezultat u kapën dhe u arrestuan shtetasit K. K, 36 vjeç, A. K, 28 vjeç, banues në fshatin Tartaj, njësia administrative Zall Dardhë, Dibër (vëllezër). Këta shtetas u kapën në orët e para të mëngjesit në një banesë në fshatin Tartaj, duke festuar daljen e një shoku të tyre nga burgu. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 06.04.2018, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe me vëllanë tjetër, shtetasin Rr. K, (i arrestuar ditën e ngjarjes nga policia), në fshatin Nezhaj,  Dibër, kanë plagosur me armë zjarri në oborrin e banesës së tij shtetasin E. Ç, 24 vjeç, për motive hakmarrjeje. Kjo ngjarje është nën hetim nga Prokuroria për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentative”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Elbasan – Finalizohet operacioni “REGJIMI”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në hidrokarbure, evazionin fiskal dhe falsifikimin e dokumenteve. Operacioni eshte zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Vihen në pranga dy persona për disa vepra penale. Në vijim të zbatimit të planit të masave kunder informalitetit financiar dhe në kuadër të hetimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndryshimi në aparatet matëse” të kryera në bashkëpunim, nga seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me  Drejtorinë  e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror Tiranë, eshte finalizuar operacioni I koduar “REGJIMI”. Si rezultat, u bë ekzekutimi i vendimit penal të datës 29.07.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan,  për masen e sigurise  arrest me burg, per shtetasit L.H., 61 vjeç dhe H.R., 35 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim, ndërhynin në pompat e distributorëve të karburanteve të palicensuar, falsifikonin procesverbalët në emër të një subjekti tjetër dhe nuk lëshonin faturë tatimore. Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan vijojnë hetimet, pasi dyshohet të ketë persona dhe subjekte të tjera të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm duke i sjellë shtetit një dëm të madh ekonomik. Policia e Elbasanit është e angazhuar maksimalisht për të zbuluar dhe ndëshkuar cilindo që kryen veprimtari të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qyetarët të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast paligjshmërie, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe të panashëm.

Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion policor i koduar “SHTRAUS”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D.V. P. Tiranë. Sekuestrohen 20 doza Heroinë, si dhe një sasi lekësh të përfituara nga shitja e saj. Në pranga poseduesi, njëherazi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “SHTRAUS”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit L. F., 27 vjeç, lindur në Bukuresht dhe banues në Tiranë, i dënuar më pare për vjedhje. Për këtë shtetas Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dispononin informacion se u shiste lëndë narkotike Heroinë në qytetin e Tiranës, kryesisht në sheshin “Shtraus”, personave të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit  27-vjeçari u kap në flagrancë me doza lënde narkotike Heroinë, të gatshme për t’u hedhur në treg në zonën pranë sheshit “Shtraus”, ku gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 20 doza me lëndë të dyshuar Heroinë, një peshore elektronike, për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në sasira të vogla, 35.000 lekë të grumbulluara nga shitja e lëndës narkotike Heroinë dhe një celular. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale  “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike ”.

Tiranë – Plan Masash për rritjen e parametrave të sigurisë për parandalimin e vjedhjeve. Finalizohet operacioni “Shëtitësit 2”. Kontrolle në të gjithë territorin e kryeqytetit për kapjen dhe venien para përgjegjësisë së personave që kryejnë vjedhje. Operacion nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë. Bien në pranga dy persona për veprën penale “Vjedhja”. Nga Komisariatet e Policisë, në zbatim të Planit të Masave për rritjen e parametrave të sigurisë, për parandalimin e vjedhjeve është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Shëtitësit 2”. Në kuadër të operacionit nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4, pas njoftimit të ardhur se po tentohej të vidhej një banesë në rrugën “Besa”, u organizua puna dhe u bë arresti në flagrancë i shtetasit I. M.,29 vjeç banues në Paskuqan, i dënuar më parë për vjedhje. Nga hetimet rezultoi se shtetasi në fjalë është autori i dyshuar dhe i një vjedhjeje tjetër të ndodhur në muajin prill, në banesën e shtetasit E. O, ku ka marë disa orendi shtëpiake. Nga ana e Patrullave të Përgjithshme dhe Specialistëve për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 Tiranë, është bërë ndalimi i shtetasit A. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Falë një pune intensive, nisur nga kallëzime të shtetasve të ndryshëm, u dokumentuan dhe dy raste raste të tjera të vjedhjes së biçikletave gjatë muajve qershor dhe korrik. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës Tiranë për veprën penale “Vjedhja” në ngarkim të shtetasve I. M dhe A. P.

Tiranë – Policia vijon kontrollet në të gjithë qarkun për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Procedohet penalisht 1 shtetas për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Sekuestrohen në cilësinë e provës kompjuter dhe njësi qëndrore. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.3, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. D., 35 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në administrim të shtetasit E. D. në Rrugën “Dervish Hatixhe” u gjet 1 kompjuter me njësinë qëndrore që shërbenin për të ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Kontrolle kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ktij aktiviteti të kundërligjshëm. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të kundërligjshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar, 10 janë ndalur dhe 73 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 5 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, 1 në qarkun Durrës dhe 4 në Vlorë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, në qarkun Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 17 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 3 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 4 në qarkun Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, në qarkun Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.