Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 qershor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë/Informacion paraprak – Rreth orës 23:55, në  lagjen “24 Maji”, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Sh. V., rreth 35 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Vlorë si pasojë  e plagëve të marra. Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Risili, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve  të ngjarjes. Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e autorëve dhe  sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Muzeu”. Operacioni i zhvilluar nga  strukturat e DVP Durrës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë. Kapen dhe arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Sekuestrohen tri mina me telekomandë.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve të Paligjshme dhe te Krimeve Kundër Personit në DVP Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Muzeu”. Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve I. A., 47 vjeç, B. Ç., 31 vjeç dhe E. B ., 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës. Këta shtetas u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A.  dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon. Nga hetimet paraprake rezultoi se  këta shtetas do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”. U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas dhe bashkëpunëtori i dyshuar i tij. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në  bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. A., 24 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Korçë dhe P. C., 35 vjeç, banues në Korçë. Shërbimet e policisë rrugore, kanë kapur pranë fshatit Buqezë, Pogradec, shtetasin A. A., duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se edhe shtetasi P. C., është bashkëpunëtor i 24-vjeçarit në këtë veprimtari të paligjshme, pasi u konstatua me mjetin tip “Opel”, duke kryer mbikëqyrjen e rrugës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.

Shkodër  – Qarkullonte me armë zjarri në mjet, arrestohet në flagrancë nga Policia. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si rezultat i kontrolleve të befasishme nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi H. N., 38 vjeç, banues në lagjen ‘‘Tre Heronjtë“ Shkodër. Gjatë patrullimit në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër, shërbimet e Policisë, pasi kanë konstatuar një automjet që kryente lëvizje të dyshimta, janë vënë në ndjekje dhe kanë bërë të mundur ndalimin e drejtuesit dhe bllokimin e automjetit. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Përmet – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në Përmet, ku një 63-vjeçari i vodhën një shumë parash në banesën e tij. Kapet dhe ndalohet një shtetase e dyshuar ai autore e ngjarjes, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i saj. Policia e Përmetit, menjëherë pas marrjes së kallëzimit se shtetasit K. P., 63 vjeç, banues në Përmet, i kishin vjedhur shumën 75 000 euro, në banesën e tij në Përmet, organizoi punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bëri të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetases O. Sh., 36 vjeçe, banuese në Përmet dhe shpalljen në kërkim të shtetasit P. P., 28 vjeç, banues në Përmet (me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes me dhunë”).   Shtetasja O. Sh., dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin P. P., ka vjedhur shumën prej 75 000 euro në banesën e shtetasit K. P. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 27 000 euro.   Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.

Kukës – Tentuan të kalojnë kufirin më lëndë narkotike në automjet, vihen në pranga 2 shtetas.  Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve R. R., 24 vjeç dhe A. A., 25 vjeç, banues në Prishtinë. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi”, me të cilin udhëtonin shtetasit R. R. dhe A. A. Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në automjet u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Fier – Më datë 03.06.2021 janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për shtetasin A. K., 32 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”. Gjithashtu janë referuar materialet në këtë Prokurori, për shtetasin L. B., 18 vjeç, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

Lushnjë- Informacion paraprak: Sot, rreth orës 12:35, në fshatin Gorre, Lushnjë, në oborrin e jashtëm të lokalit të shtetasit V. Gj., është gjetur pa shenja jete shtetasi A. Dh., 40 vjeç. Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e atakut kardiak. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 1 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim; 6 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 13 raste në të gjithë vendin, me 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Mashtrimi”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 për “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një funksion publik”.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Durrës dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Korçë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Organizmi i lotarive të palejuara” dhe 1 për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i i letërnjoftimeve”.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 7 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është arrestuar në flagrancë 1 drejtues mjeti, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.