Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 mars 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Përmet – Vijon operacioni “Mezhgorani”. Shkon në 37 numri i të arrestuarve. Vihet në pranga një tjetër person i shpallur në kërkim. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Mezhgorani”, u ndalua një prej personave të shpallur në kërkim.  Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër u ndalua shtetasi B. M., 32 vjeç, banues në Mallakastër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzim krimi”. 5 ditë më parë, pas një hetimi 6-mujor u finalizua operacioni “Mezhgorani”, në kuadër të të cilit u arrestuan, u ndaluan dhe u proceduan 53 shtetas. Gjatë operacionit u sekuestruan 3 pushkë automatike me silenciator, 2 kallashnikov, 10 kallëpe tritol, 620 fishekë, 2 granata difensive, 71 krehër fishekësh, 20 automjete te markave të ndryshme, 40 telefona celular, dokumente noteriale, kontrata, certifikata pronësie të ndryshme, rreth 130 kg kanabis, shuma prej 10 milion lekësh, 7500 euro, si dhe 3500 euro të dyshuara të falsifikuara. Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mezhgorani”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 1 është ndaluar dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Durrës.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, 6 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendej të lirë; 1 në Lezhë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar  shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.