Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Manati”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 32 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallen në kërkim 2 djemtë e tij. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme dhe kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për shtetas që posedonin lëndë narkotike, në një banesë në përdorim, ngjitur me banesën e tyre, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Lezhë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Manati”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: V. N., banues në Manati, Lezhë, si dhe u bë shpallja në kërkim e 2 djemve të tij, shtetasve Sh. N. dhe S. N. Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se shtetasit e lartpërmendur janë posedues të 32 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike cannabis sativa që u gjetën dhe u sekuestruan gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër që ata e kishin në përdorim, ngjitur me banesën e tyre, në fshatin Manati, Lezhë.  Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier – Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin L. M., 53 vjeç, banues në Fier, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Benz” ka përplasur automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin K. M. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, u procedua penalisht shtetasi A. L., 53 vjeç, banues në Divjakë(me detyrë topograf në Bashkinë Divjakë), pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumentet (hartën treguese) për një rruge të fshatit Çermë Pasha, Divjakë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetases V. S., 28 vjeçe, banuese në Levan, Fier, pasi për motive të dobëta ka goditur shtetaset E. M dhe E. Sh (me detyrë mjeke dhe infermiere në poliklinikën mjekësore të qytetit të Fierit). Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 1 është ndaluar, 30 janë arrestuar në flagrancë dhe 42 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Beart dhe 1 në Vlorë dhr 4 raste të tjera të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Vlorë, me 11 autorë të është arrestuar në flagrancë; 5 në Tiranë, 2 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për falsifikim dokumentesh.

Në Gjirokastër janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër për “Goditja për shkak të detyrës”.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për falsifikimin dokumentesh, dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prishja e qetësisë publike”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Shpërdorim detyre” dhe 1 tjetër , për “Vetëgjyqësia”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përdormi i me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës.

Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 4 drejtues mjetesh dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.