Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Antwerp”.Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni Operacional në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte i dënuar me 5 vjet burg. Specialistët e Seksionit Operacional në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe trafiqeve, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antwerp”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit M. B., 27 vjeç.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Antwerp, Belgjikë, e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafik i paligjshëm i substancave narkotike dhe psikotrope”, të parashikuara nga Kodi Penal belg. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 08.01.2022, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, në njohje të vendimit të Gjykatës së Apelit Antwerp, Belgjikë, vendim i cili do të ekzekutohet në Shqipëri.
Tepelenë- Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim D. K., 42 vjeç, banues në fshatin Buz, Memaliaj. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër ka lëshuar urdhër ndalimi, sepse nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi D. K. ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase 32 vjeçe, me aftësi të kufizuara.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasit M. K., 39 vjeç dhe B. T., 34 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi për motive të dobëta, janë konfliktuar dhe kanë goditur njëri-tjetrin, me sende të forta. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjiroksatër, për shtetasin P. K., 32 vjeç, banues në Memaliaj, pasi në fshatin Vasjar, pranë rrugës nacionale, është konstatuar duke bërë nivelim të pronës së tij, me materiale inerte, në kundërshtim me destinacionin ligjor të paracaktuar, duke ndryshuar kështu regjimin juridik të tokës.
Pukë – Më 28.03.2022, është vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit P. K., 84 vjeç, në fshatin Katund, Njësia Administrative Qelëz, Pukë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Pukë.
DVP Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Delvinë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim Angjelo Hamiti, 31 vjeç, banues në Delvinë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë e ka dënuar me 10 muaj burgim, për veprat penale ”Goditja e arbitrit të ndeshjes” dhe “Shkaktimi i ndërprerjes së ndeshjes”. Ky shtetas, më datë 19.12.2020, gjatë zhvillimit të një ndeshjeje, ka hyrë në fushën e lojës dhe ka goditur me sende të forta arbitrin e ndeshjes, shtetasin E. P., duke shkaktuar kështu ndërprerjen e ndeshjes.Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin B. Ç., 25 vjeç, banues në fshatin Xibrakë, Elbasan, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Vjedhja”, shtetasen K. E., 34 vjeçe, banuese në lagjen “Partizani”, pasi dyshohet se ka vjedhur një varëse floriri në banesën e shtetasit A. A. Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 28.03.2022, ka vjedhur në banesën e shtetasit F. N., një portofol me një sasi parash dhe mjete identifikimi. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht shtetasit K. K., 64 vjeç, banues në Himarë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke, në pronësi të shtetases A. K., banuese në Himarë dhe Th. M., 40 vjeç, banues në Pilur, Himarë, për veprën penale “Kanosja”, pasi ka kanosur për motive të dobëta, shtetasin Th. M., 59 vjeç, banues në Pilur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 13 janë arrestuar në flagrancë, 70 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste: 5 raste të “Kanosja”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 5 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”, me 1 shtetas të ndaluar.
Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është evidentuar 1 raste, me 1 shtetas të ndaluar. Për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë, 1 shtetas të shpallur në kërkim, 1 tjetër të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Është evidentuar 1 rast I veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, për të cilin është shpallur në kërkim një shtetase.
Është evidentuar 1 rast për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Pushtimi i tokës”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për veprën e parë procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas, ndërsa për veprën e dytë autori nuk është identifikuar. Strukturat policore po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 9 raste, prej këtyre 1 rast për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 1 rast është me autorë të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, 1 rast ka mbetur në tentativë, ndërsa 6 rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mashtrimi”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu, 2 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Falsifikimi kompjuterik”, me autorë ende të paidentifikuar.
Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 10 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë komtrabandë” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar në total 7 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 3 shtetas të arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, 1 shtetase është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.