Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 28 tetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Qëlloi me armë zjarri në drejtim të një shtetasi, identifikohet dhe shpallet në kërkim nga Policia. Shpallet në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij.  Mbrëmjen e datës 27.10.2020, në aksin rrugor Gjirokastër-Lunxhëri, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi B. Ll. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit K. B., 35 vjeç, banues në Gjirokastër. Shtetasi B. Ll., në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i shoqëruar nga shtetasi D. Sh. dhe janë larguar menjëherë me automjetin e tyre. Nga e shtëna me armë zjarri nuk ka të lënduar. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasve B. Ll., 35 vjeç, banues në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër dhe D. Sh., 24 vjeç, banues në Gjirokastër. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një gëzhojë. Po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Rinas – Policia Kufitare e Rinasit godet një tjetër rast të mitëdhënies. Tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Kufitare, me qëllim lejimin për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së edhe pse nuk plotësonte kushtet, vihet në pranga 24-vjeçari. Gjatë javës së fundit Policia Kufitare e Rinasit ka goditur dhe tre raste të tjera të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Kufitare.  Si rezultat i shtimit të kontrolleve në zbatim të masave parandaluese për moslejimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së të atyre shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasin L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe intervisitimit për qëllimin e udhëtimit në vendet e BE-së, ky shtetas, duke qenë se ai nuk justifikonte qëllimin e lëvizjes dhe nuk plotësonte kushtet për të udhëtuar në hapësirën Schengen, i ka ofruar punonjësit të Policisë 50 euro, për ta lejuar që të vijonte udhëtimin. Policia Kufitare apelon për të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, që në rast se nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, të mos ndërmarrin asnjë veprim të kundërligjshëm, të mos përpiqen për të korruptuar punonjësit e Policisë pasi do përballen me ligjin.

Durrës – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 39 vjeç, banues në Sukth, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta kushëririn e tij, shtetasin L. L., 28 vjeç, banues në Durrës.  Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit Xh. L., 48 vjeç dhe Sh. L., 45 vjeç (vëllezër), pasi janë përfshirë në konfliktit me kushërinjtë e tyre. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin S. Rr., 53 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë, pasi në fshatin Nojë, duke drejtuar mjetin tip “Rexton”, pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga. Shtetasi S. Rr ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

DVP Elbasan – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë një tjetër, për vepra të ndryshme penale. Gjithashtu kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i dy vjedhjeve.  Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 30 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan, pasi gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit të marrë me qira iu gjetën dhe sekuestruan 7 doza me lëndë narkotike kanabis. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. G., 23 vjeç, banues në Elbasan, pasi iu gjet një dozë me lëndë narkotike kanabis që ia kishte blerë shtetasit Xh. M. Në vijim të zbatimit të planit të masave nga Policia Rrugore, për parandalimin e aksidenteve rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, si dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve te mjeteve që drejtojnë mjetet në mënyrë të parregullt, specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit: D. O., 47 vjeç, banues në Tiranë dhe A. K., 33 vjeç, banues në Peqin, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur; E. M., 29 vjeç, banues në fshatin Klos, Cërrik, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd u kap dhe ndalua shtetasi A. O., 17 vjeç, banues në Librazhd, pasi dyshohet si autor i dy vjedhje të ndodhura në qytetin e Përrenjasit, konkretisht: Më datë 26.07.2020 dyshohet se ka vjedhur me thyerje në xhaminë e qytetit të Përrenjasit, ku ka marrë 10.000 lekë; Më datë 28.09.2020 dyshohet se ka vjedhur 20.000 lekë dhe një varëse floriri në banesën e shtetasit A. B. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit P. M., 62 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” dhe “Përndjekja”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 48 vjeç, pasi, në Allias, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës së tij. Specialistët e Qarkullimin Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. P., 54 vjeç, pasi në rrugën “Abedin Rexha”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.05 mg/l. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi H. T., 20 vjeç, pasi, në Rrugën e Durrësit, duke qarkulluar si pasagjer në një mjet ka kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësin e Policisë Rrugore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Mallakastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Premtimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Operacioni nga  Komisariati i Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier. Prezantohej si menaxher i një firme për ndërtimin e rrugëve dhe mashtronte qytetarë të ndryshëm duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se do t’i punësonte në firmën e ndërtimit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 70-vjeçari nga Kruja.   Sekuestrohen dokumente, deklarata noteriale dhe një shumë parash.  Specialistët e  Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mallakastër, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në qytetin e Ballshit, një shtetas po mashtronte qytetarët duke iu premtuar t’i punësonte në një firmë private kundrejt shumave të ndryshme lekësh, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Premtimi”.Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Sh., 70 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, i proceduar më parë dy herë për të njëjtën vepër penale (“Mashtrimi”). Pas veprimeve të para hetimore rezultoi se ky shtetas nga data 23.10.2020 deri më datë 27.10.2020, ka mashtruar shumë persona në qytetin e Ballshit duke iu marrë nga një sasi lekësh, me pretendimin se do t’i punësonte. Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga ky shtetas në qytetin e Ballshit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lekësh, dokumente të ndryshme me emrat e personave të mashtruar nga ky shtetas, fotokopje të mjeteve të tyre të identifikimit dhe kontrata noteriale me shuma me shuma që varionin nga 1400 euro-10.000 euro të bëra me shtetasit që i kishte mashtruar me premtimin për t’i punësuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Mashtrimi”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 44 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Fier; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Gjirokastër, ku po punohet për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, 5 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, një rast me një autor të arrestuar në flagrancë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të pushtimit të tokës, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë,  ku autorët po procedohen në gjendej të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Fier, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 1 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 2 në Elbasan.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.