Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 28 Gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Vijon operacioni masiv kundër informalitetit. Finalizohet operacioni policor “Bileta e falsifikuar”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor. Vihen në pranga 8 persona. Sekuestrohen 150 000 bileta të falsifikuara. Në kuadër të Planit të Masave “Mbi informalitetin në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, trajtimi i mallrave me akcizë dhe evazionin fiskal”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pas një hetimi njëmujor me metoda speciale të hetimit, për goditjen e evazionit fiskal dhe informalitetit, finalizoi operacioni policor “Bileta e falsifikuar”, duke bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve: F. I., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti; F. V., 60 vjeç, banues  në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti; A. V., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me funksion administratore dhe ortake e një shoqërie transporti; E. V., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë administratore e një shoqërie transporti; L. A., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobuzash; A. D., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobuzash; K. Q, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusash;  A. I., 20 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në trasportin urban në qarkun Tiranë. Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja. Gjithashtu u sekuetruan në cilesinë e provës materiale: një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndyshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndyshme. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor vijojnë hetimet me intesitet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  Materialet procedurale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Rinas – Vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen. U zhvillua operacioni i radhës i riatdhesimit nga Lille, Francë. Nëpërmjet një charteri nga Franca, në kuadër të fluturimit të përbashkët evropian organizuar nga Franca dhe Frontex, si dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare, u riatdhesuan 60 shtetas shqiptarë, nga të cilët 20 prej tyre kishin kërkuar azil dhe 40 të tjerët për qëndrim të parregullt në vendet e BE-së. Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe në këtë kontekst, Policia e Shtetit apelon të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe mos bëjnë provojnë të kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.  Njëkohësisht Policia Kufitare, në pikat e kalimit do vijojë me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.

Fier – Patrulla e Policisë parandalon një ngjarje kriminale. Tenton të vrasë me armë zjarri automatik një shtetas, vihet në pranga nga policia autori. Pas marrjes së telefonatës në numrin unik 112 se në fshatin Baltëz kishte konflikt me armë midis dy personave, menjëherë Patrulla e Policisë ka shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë ka bërë parandalimin e një vrasjeje të mundshme. Shtetasi D.V., 20 vjeç, banues në Baltëz, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri automatik shtetasin F.T., 53 vjeç. Policia ka bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D.V., për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe 1 krëhër me 30 fishekë. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale.

Berat – Përndiqte sistematikisht dhe kanoste me armë zjarri një shtetase, arrestohet nga policia autori. Sekuestrohet një armë zjarri tip automatik. Nga Specialistët e Seksionit për Krimet pranë Komisariatit të Policisë Berat u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. M., 26 vjeç, banues në Ura Vajgurore. Arrestimi i tij u bë pasi shtetasja L.T. ka kallëzuar se ky shtetas e ka përndjekur në mënyrë sistematike dhe e ka kërcënuar me armë zjarri. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit F.M., u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik model 56. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprat penale ‘‘Përndjekja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’’.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 103 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 76 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Vlorë, ku autori është ndaluar; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Berat, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve, në të gjithë territorin, janë evidentuar 9 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, konkretisht: 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Vlorë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirësi edhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në qarkun Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 4 në qarkun Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 15 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, konkretisht: 8 në qarkun Tiranë, 1 në Gjirokastër, 1 në Lezhë, 2 në Fier, 1 në Vlorë, 2 në Shkodër.

Janë evidentur 6 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, konkretisht: 5 në qarkun Tiranë dhe 1 në Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.