Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 tetor 2020

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 tetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Zbardhet në kohë rekord tentativa për vjedhje në fshatin Kropisht, Selenicë. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale identifikohen, lokalizohen dhe arrestohen pesë autorët e dyshuar të ngjarjes.  Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 2 automjete. Vijon puna nga shërbimet e Policisë për gjetjen e armës me të cilën autorët do kryenin vjedhjen.  Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në fshatin Kropisht, Selenicë, ku persona të maskuar dhe të armatosur, duke u prezantuar si punonjës policie, kanë tentuar të vjedhin nën kërcënimin e armëve në banesën e shtetasit F. C., menjëherë, pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta profesionale dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj pronës në DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe ata Stacionit të Policisë Selenicë u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje dhe menjëherë u organizua puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Si rezultat, në Selenicë dhe në Vlorë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i pesë autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht: A. Sh., 31 vjeç, L. E., 29 vjeç, E. S., 26 vjeç, E. M., 34 vjeç, banues në Selenicë dhe E. Dh., 39 vjeç, banues në Vlorë. Në cilësinë e provës materiale Policia ka sekuestruar dy automjete, automjetin e markës “Benz” me të cilin u larguan autorët dhe automjetin e markës “Nissan” me të cilin udhëtonte shtetasi A. Sh. në momentin e kapjes nga Policia, tre aparate celularë dhe prova të tjera materiale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhje me armë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim, arrestohet në flagrancë një shtetas tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. Sh., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 23.09.2020, pas një konflikti të çastit, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. I., 54 vjeç, banues në Durrës, i cili pasi ka marrë mjekim në spital është larguar në banesë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. O., 53 vjeç, banues në Arapaj, Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar një objekt (me beton dhe profile hekuri), pa lejen e organeve kompetente. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.

Tiranë – Kapen dhe ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë edhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.  Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin I. Sh., 20 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë të shtetasit A. Xh., 47 vjeç, pasi, në rrugën ”Siri Kodra”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 32 vjeç, pasi, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. S., 53 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të bërë testin e alkoolit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprak – Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit E. D. (L.) 30 vjeç, pasi në Institutin Bujqësor, gjatë një konflikti të çastit me shtetasin K. Ll., 38 vjeç, i ka marrë atij një shumë parash dhe telefonin dhe më pas është larguar. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e shtetasit E. D. (L.) dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë  shtetasin S. D., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi në datë 26.10.2020, ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë është arrestuar në flagrancë shtetasja A. Ç., 35 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi në datën 26.10.2020, ka kryer veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka ushtruar dhunë fizike, ka përndjekur ish-bashkëjetuesin e saj dhe i ka thyer atij telefonin. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 47 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 5 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Vlorë dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Fier, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe  në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autor që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar i rast i pushtimit të tokës, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 raste i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar një rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, ku autorët po procedohen në gjendej të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shfrytëzim i prostitucionit”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në të gjithë vendin.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.