Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 prill 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë/ Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë – Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 03.05.2021. Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur. Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kapën duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-Korçë, Policinë Kufitare dhe Forcat Speciale “Shqiponjat” në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve D. L, 24 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec; B. M., 30 vjeç, banues në Kurdistan, Irak, si edhe u shpall në kërkim shtetasi E. N. Shërbimet e policisë kanë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Podgorie, Maliq, shtetasin D. L., duke transportuar me mjetin furgon tip “VW Crafter”, 9 emigrantë të paligjshëm. Gjithashtu, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, u kap shtetasi irakian B. M., duke transportuar me mjetin “Mercedes-Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera, dyshohet se shtetasi E. N., ishte bashkëpunëtor me 30-vjeçarin B. M., në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 filluan procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasit:  J. M., 26 vjeç, O. L., 29 vjeç dhe A. D., 35 vjeç, të tre me detyrë vëzhgues në VNV nr. 30, te shkolla “1 Maji”. Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi mbrëmjen e djeshme janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për radhën e qëndrimit para monitorëve ku bëhet numërimi i votave. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Kavajë/Informacion paraprak – Më datë 26.04.2021, rreth orës 21:10, në Rrogozhinë, shtetasi A. H., 30 vjeç, dyshohet se në gjendje të dehur, është vetëplagosur me armë zjarri në këmbë, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 42 shtetas, konkretisht: 6 janë arrestuar në flagrancë dhe 35 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim; 2 raste të  “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtimin me vendimin e gjykatës”.

Janë evidentuar dy raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 9 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.