Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Bulqizë/ informacion paraprak – Dyshohet se e plagosi me armë gjahu aksidentalisht shokun e tij, i cili humbi jetën, shoqërohet në Polici 27-vjeçari. Rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi K. K., së bashku me shtetasin E. B., në rrugën Fushë Bulqizë – Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte. Dyshohet se nga pakujdesia shtetasi K. K. ka plagosur shokun e vet, shtetasin E. B., 22 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës. Menjëherë pas njoftimit të marrë u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Falë veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, shtetasin K. K., 27 vjeç, për veprime të mëtejshme hetimore. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Drejtorisë vendore të Policisë Dibër vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Korçë – Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, godet një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe procedohen penalisht 7 të tjerë. Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike heroinë dhe kanabis, të ndara në doza, gati për shitje, si dhe kapsula metadoni. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një hetimi 2-mujor, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta. Si rezultat u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve në kërkim F. Ç., 35 vjeç dhe E. R., 36 vjeç (i dënuar më parë për vjedhje), të dy banues në Korçë, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 24.11.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: O. K; M. Q; O. K; P. K; B. Xh; V. Th. dhe O. E., të cilët janë kapur në kohë të ndryshme nga forcat e Policisë, me doza heroine dhe kapsula metadoni, që dyshohet se i blinin tek shtetasit F. Ç. dhe E. R. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i aktivitetit kriminal që këta shtetas e ushtronin në qytetin e Korçës, duke shpërndarë kundrejt fitimit, sasi lënde narkotike të llojit heroinë dhe kanabis, të ndarë në doza. Në përfundim të veprimeve, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe kanabis, kapsula metadoni dhe një sasi lekësh. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Operacioni, nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 5. Ekzekutohen masat e sigurisë për 3 shtetas. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 5, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Storm”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimeve penale të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit O. C., 24 vjeç, banues në Fushë Krujë; B. H., 36 vjeç, banues në Kamzë dhe T. K., 32 vjeç, banues në Fushë Krujë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se në kohë të ndryshme organizonin trafikimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme, nëpërmjet kufiri Shqipëri-Greqi, në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Kukësit, kundrejt përfitimit monetar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.
Vlorë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Ndalohet një 27-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. M., 27 vjeç, banues në Mifol, Vlorë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në datën 09.11.2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka goditur me mjete të forta, për motive të dobëta, shtetasin D. K. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Vijon operacioni “Kështjella”. Kapet dhe vihet në pranga dhe 1 tjetër shtetas i implikuar. Në vijim të operacionit policor të koduar “Kështjella”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të drogave të forta, si rezultat i të cilit u arrestua 1 shtetas dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 4 kilogram e 215 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe 1039.5 gramë kanabis, automjeti që u gjetë lënda narkotike dhe 4 aparate celular ka vijuar puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Si rezultat i hetimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi G. H., 36 vjeç, banues në fshatin Hasmashaj, Peqin, pasi dyshohet se shtetasi G. B., i cili është arrestuar ditën e djeshme, e siguronte lëndën narkotike nga shtetasi G. H. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 2 prej tyre të shpallur në kërkim. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh.(P)., 33 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me 1 peshore elektronike dhe 1 aparat celular. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit L. H., 19 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit M.(B.).H., 35 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. A., 41 vjeç, pasi në rrugën ”Memo Meto”, dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së babit të tij dhe për pasojë banesa është djegur tërësisht. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Tiranë/Informacione paraprake: Më datë 27.11.2020, rreth orës 01:20, në rrugën “Konferenca e Pezës”, një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka goditur me sende të forta punonjësin e një karburanti dhe ka vjedhur shumën 7.000 lekë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit./ Më datë 27.11.2020, në Fushë Mezëz, persona ende të paidentifikuar kanë marrë një shumë parash në kasafortën e një kompanie në administrim nga shtetasja M. P. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kashnjeti”, për goditjen e armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga Forca Operacionale në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë. Sekuestrohen 1 armë zjarri dhe 1 armë gjahu. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që mbajnë armë pa leje, strukturat e DVP Lezhë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kashnjeti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit N. P., 61 vjeç, banues në Kashnjet, Lezhë. Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një armë gjahu. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjirokastër – Procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”. Ditën e sotme u referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për shtetasin V. Ll., 65 vjeç, banues në fshatin Lumas, Elbasan, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në PKK Kakavijë, pas kontrollit të dokumentit të PCR ka rezultuar pozitiv me SARS – COV 2, sipas analizave të një laboratori në një klinikë private. Gjithashtu, këtij shtetasi i është vendosur edhe masa administrative në vlerën 700.000 lekë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 10 janë ndaluar dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 2 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 1 në Shkodër, me 1 autor të ndaluar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Tiranë, me 3 autorë të ndaluar dhe 1 në Gjirokastër, me autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast shkatërrimit të pronës me zjarr, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrimi i pronës”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.