Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Morinë, Kukës – Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, bazuar në analizën e riskut, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 12.700 euro, 2150 dinarë të Maqedonisë së Veriut dhe 100 franga zviceriane Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz” , me drejtues shtetasin A. K., 34  vjeç, banues në Slloveni. Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij të dorës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 12.700 euro, 2150 dinarë të Maqedonisë së Veriut dhe 100 franga zviceriane,  të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi  A. K., 34 vjeç, banues në Slloveni, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Sarandë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Volloder”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë. Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një magazinë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike. Vihen në pranga 2 punonjës të OSHEE-së, shpallen në kërkim pronari dhe kontraktori i magazinës. Sekuestrohen 50 llamba elektrike, 100 bimë kanabis të kultivuara në kubikë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Himarë dhe Sarandë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në vendin e quajtur “Volloder” pranë fshatit Nivicë, Sarandë, një shtetas kishte përshtatur në një magazinë, një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Volloder”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit V. S., 57 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së dhe G. H., 61 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë faturist pranë OSHEE-së, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, shtetasit: K. O. pronari i magazinës dhe K. M., i cili kishte marrë më qira ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 100 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në kubikë dhe 50 llamba elektrike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 46 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 21 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3  autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit është evidentuar 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 rast në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar  4 raste të ndërtimit pa leje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në Durrës janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” , dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Veprime në kundërshitm me vendimin  e gjykatës”.

Në Vlorë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Fier është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Flasifikimi i monedhave”.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sende me vlerë në kufi”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.