Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 shkurt 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.  Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, bënë kapjen dhe ndalimi e shtetasit E. I., 29 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 1 vit dhe 4 muaj burg, për veprën penale “Mashtrimi”.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. S., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin ky shtetas po qarkullonte iu gjet një sasi lëndë e dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. C., 53 vjeç, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”, duke dalë jashtë banesës. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. K., 47 vjeç, pasi duke qenë pasagjer në mjetin me drejtues S. F., ka ofenduar dhe ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e policisë. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimin në flagrancë i shtetasve D. M., 21 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse dhe M. P., 61 vjeç, pasi u kap në gjendje të dehur në masën 0.73 mg/l. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Procedohen dhe 2 shtetas të tjerë për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë ndaluan shtetasin B. D., 32 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas, më datë 27.09.2020, dyshohet se ka vjedhur disa orendi shtëpiake në banesën e shtetasit M. P., banues në Krujë. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u proceduan penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”, shtetasit V. V., banues në Borizanë, Krujë, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të shtetases M. Gj.; N. P., banues në Krujë, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit A. P. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi më datë 25.02.2021, në orën 14:55, në autostradën Durrës-Tiranë, tek mbikalimi i Fllakës, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin Q. B., 82 vjeç, i cili për pasojë ndërroi jetë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko – Financiar në DVP Gjirokastër u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Mashtrimi”, në ngarkim të shtetasit A. Xh., 29 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi në vitin 2019 ka mashtruar shtetasin Th. S., duke e bërë garantues të një kredie bankare dhe nuk i ka shlyer këstet e kredisë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër filluan procedimin penal për shtetasin A. P., 52 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka ngacmuar seksualisht një vajzë 16-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Kuçovë – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim F. B., 27 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Kuçovë. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Berat e ka dënuar 1 vit e 6 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas, në muajin mars 2017, ka vjedhur në banesën e shtetasit K. Ç., në lagjen “1 Maji”, Kuçovë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Mat – Nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë, tentoi të largohej me mjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, por pas ndjekjes nga Policia, 41-vjeçari u vu në pranga. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat arrestuan në flagrancë  shtetasin I. D., 41 vjeç, banues në Burrel. Në aksin rrugor Burrel-Lis, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. D., i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe është larguar. Pas ndjekjes punonjësit e Policisë e kanë ndaluar dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se drejtonte mjetin pa u pajisur me leje drejtimi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Mat,  për veprat penale “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

Elbasan – Në vijim të informacionit të dhënë në datën 23.02.2021, nga specialistët për Hetimin e Krimit është bërë ndalimi i shtetasit E. B., i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”.

Shkodër – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Sekuestrohen fara kanabisi, vihet në pranga poseduesi. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas ushtronte aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve, është organizuar puna për kapjen e tij. Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi K. T., 19 vjeç, banues në fshatin Baks, Velipojë. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke qarkulluar në drejtim të Velipojës, me automjetin tip “ISUZU”. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar një sasi farash të bimës cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 16 janë arrestuar dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të  “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje: 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, 1 në Fier dhe Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 2 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Pushtim toke”, 1 në Vlorë dhe 3 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Braktisja e fëmijëve të mitur”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, si dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Fier, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.