Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 shkurt 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Lezhë – Vijon krehja e zonës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Kodër Rrëshen. Forcat RENEA, FNSH dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë vijuar pa ndërprerë kontrollin e territorit dhe të vendeve të dyshuara ku mund të fshihej autori i dyshuar i ngjarjes. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe dokumentimin e ngjarjes. Për të bërë të mundur kapjen sa më parë të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë vë në dispozicion 5 milion lekë për këdo që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit. Cilido që disponon informacion të vlefshëm për autorin e dyshuar, shtetasin Fatmir Kolecaj, 47 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, të telefonojnë në numrin  069 41 06 449 dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke i siguruar anonimat të plotë dhe të sigurt.

Rinas – Deportohen nga Spanja 26 shtetas shqiptar që kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen apo që kishin kërkuar azil. Policia Kufitare e Rinasit, gjatë intervistimit të të deportuarve ka dyshuar për njërin prej tyre për gjeneralitete të rreme. Pas një pune intensive intervistimi dhe verifikimi të detajuar, në bashkëpunim edhe me Interpol Tiranën, Policia Kufitare e Rinasit vuri në pranga personin e dyshuar që i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme. Vihet në pranga me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 50-vjeçari nga Vlora. Në Rinas, nëpërmjet një fluturimi me charter u deportuan dhe u riatdhesuan nga Spanja 26 shtetas shqiptar, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe disa prej tyre kishin kërkuar dhe azil. Gjatë përpunimit dhe intervistimit të tyre rezultoi se një nga personat kishte dhënë identitet të rremë në shtetin spanjoll, me emrin V. B. Gjatë procesit të përpunimit të këtij shtetasi, verifikimit të detajuar dhe një pune intensive u bë e mundur që të zbulohej identiteti i vërtetë i tij, i cili nuk ishte shtetasi V. B., por ishte në të vërtetë ishte shtetasi K. J., 50 vjeç, lindur dhe banues në Mifol, Vlorë. Ky shtetas i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme, për arsye se ishte person në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga Interpol Roma, i dyshuar për veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Në përfundim të procedurave të verifikimit, Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën bëri arrestimin e 50-vjeçarit, me qëllim ekstradimi dhe Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimi e tij drejt Italisë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 1 rast i “Vrasja”, në Lezhë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 2 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 6 raste, 2 në Durrës, 3 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 4 në Vlorë, 1 në Lezhë, 2 në Shkodër dhe 1 në Kukës.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 2 në Fier dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.