Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 nëntor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Elbasan – Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Vihet në pranga dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim.  Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Kanosja”, shtetasin D. XH., 51 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një mjet tjetër që drejtohej nga shtetasja A. G., 34 vjeçe, duke shkaktuar vetëm dëme materiale, dhe pas përplasjes së mjeteve e ka kanosur me fjalë 34-vjeçaren.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit: K. Ç., 48 vjeç, banues në Elbasan dhe E. I., 37 vjeç, banues në Gramsh, pasi u konstatuan duke transportuar me një mjet tip kamionçinë, dru të prera në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh u kap shtetasi F. K., 35 vjeç, banues në Gramsh, i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë, për veprën penale “Dhuna në familje”. 35-vjeçari do t’i dorëzohet shërbimeve të DVP Tiranë, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin R. A., 29 vjeç, banues në Topojë, pasi dyshohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase të mitur 15 vjeçe. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër proceduan penalisht shtetasin E. O., 62 vjeç, banues në Mallakastër, pasi në lokalin e tij është konstatuar duke kryer ndërtime pa lejen e organeve kompetente. Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vlerësim, pasi shtetasi E. M., (sekretar i një subjekti politik, dega Fier) ka kallëzuar se në datë 24.11.2021 ka konstatuar se ishte ndryshuar fisheku i bravës së derës kryesore të selisë së këtij subjekti politik.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 16 janë arrestuar në flagrancë dhe 78 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 5 autorë të arrestuar dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste:  3 raste të “Kanosja” dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 2 raste me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lire dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Janë proceduar 8 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.