Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, në pranga poseduesi i saj. Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 19 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.

DVP Berat – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si dhe të paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit. Në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si dhe në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IMT Berat dhe Skrapar, kanë proceduar penalisht shtetasit: M. Sh., 53 vjeç, banues në fshatin Selan, Skrapar, pasi u konstatua në vendin e quajtur “Teteren”, duke hedhur inerte me një mjet fadromë në shtratin e lumit Osum; F. D., 38 vjeç, banues në Poliçan, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Bogovë, Skrapar, ka rezultuar se kishte pushtuar një sipërfaqe toke dhe ushtronte aktivitetin tregtar duke mos paguar tatimet, taksat, dispononte mall pa faturë, si dhe kishte dy punonjës të pasiguruar; S. L., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit u konstatua se kishte pushtuar një sipërfaqe toke publike dhe tregtonte pa faturë tatimore pllaka guri dekorativ, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në Malin e Tomorit. Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Himarë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë arrestuan për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin V. N., 50 vjeç, banues në Dhërmi, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 10 janë arrestuar në flagrancë dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Durrës dhe 1 në Lezhë; 1 rast i “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje është evidentuar 1 rast, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 14 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste në të gjithë vendin, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës me zjarr, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku po punohet për kapjen e autorëve; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shpërdorimi i detyrës”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Korçë, 2 në Berat dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas, në Berat, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Po në Berat është proceduar penalisht dhe 1 shtetas, për veprën penale “Ndotja e ujërave”.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Durrës është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.