Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion policor, i koduar “Barrikada”, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Sektori i Hetimit të Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana. Kapet një shtetas francez, i shumëkërkuar për vrasje në Francë. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë vazhdon puna e pandërprerë për kapjen e personave në kërkim për krime të rënda ndaj jetës. Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Interpol Tiranën, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Barrikada”, në kuadër të të cilit, në Rrugën e Barrikadave, në një banesë të marrë me qira, u bë e mundur kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar T. Q., 27 vjeç, lindur dhe banues në Nantes, Francë, pasi Gjykata e Nantes, Francë, më datë 23.10.2019, i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit ”Burgim i përjetshëm”. Ky shtetas, dyshohet se në Nantes, Francë ka vrarë me pistoletë një shtetas dhe më pas është larguar në drejtim të Shqipërisë, ku ka hyrë me dokumentacion të rregullt para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar. Materialet e arrestimit, me qëllim ekstradimin e tij drejt Francës, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 94 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 70 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje: 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 2 në Korçë, me 2 autorë te arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.
Janë proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 7 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Berat.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.