Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë – Transportonin mallra të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme dhe u ofruan ryshfet punonjësve të Policisë, me qëllim shmangien e kontrollit të automjetit, arrestohen në flagrancë nga Policia. Specialistët për hetimin e krimit ekonomik – financiar në Drejtorinë e Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se me një mjet po transportoheshin mallra të prodhuara në mënyrë të paligjshme, kanë organizuar punën dhe në Fushë- Milot, Kurbin, kanë bërë ndalimin e mjetit tip “Opel” me drejtues shtetasin B. A., 32 vjeç dhe pasagjer shtetasin B. S., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët i kanë ofruar 2 kartëmonedha të prerjes 1 000 lekë, me qëllim shmangien e kontrollit të mjetit. Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme. Në vijim të veprimeve, Policia ka bërë arrestimin e shtetasve B. A. dhe B. S. Materialet procedurale në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Manipulimi i tregut”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 42 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, në të gjithë territorin, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Tiranë dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.