Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. U konstatua duke ushtruar aktivitet pas orarit të përcaktuar për mbyllje, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i një subjekti. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin G. Ç., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit K. SH., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi u konstatua në Derven, Krujë, duke drejtuar mjetin tip “Volksëagen”, në gjendje të dehur; H. M., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi motorin tip “Lifan”, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar lehtë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme. Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid. Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronarin e një subjekti në lagjen nr. 3, Durrës, shtetasin Xh. T., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke ushtruar aktivitet pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer burim rreziku për qytetarët.
Bulqizë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Arrestohet një 47-vjeçar me precedent të mëparshëm penal. Gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe iu sekuestrua 1.2 kg lëndë narkotike dhe disa kubikë ku kishte kultivuar fara cannabis sativa. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas mund të posedonte lëndë narkotike në banesën e tij, organizuan punën dhe ushtruan kontroll në banesën e shtetasit A. S. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.2 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, si dhe disa kubikë ku ishin kultivuar fara cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 47 vjeç, banues në Bulqizë (person me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shkodër/Informacion paraprak – Më datë 22.02.2021, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit A. D., 50 vjeç, në fshatin Bushat. Në vendin ngjarjes kanë shkuar grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim kombëtar. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë ndaluan shtetasin F. L., 33 vjeç, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi dyshohet se duke u prezantuar si punonjës i një banke, ka mashtruar shtetas të ndryshëm, me qëllim përfitimin e vlerave monetare, duke i paraqitur atyre lehtësi për marrjen e kredive personale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. S., 49 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 u bë kapja dhe ndalimi i shtetases A. K., 51 vjeçe, e shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve L. B., 21 vjeç dhe H. B., 36 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse; J. G., 42 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.77 mg/l, është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale.
Më datë 22.02.2021, shtetasi K. T. ka kallëzuar se gjatë natës, 1 shtetas ende i paidentifikuar ka dëmtuar derën e zyrës elektorale të një subjekti politik. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. / Më datë 22.02.2021, shtetaset M. P dhe E. Xh. kanë kallëzuar se persona të paidentifikuar i kanë vjedhur një shumë lekësh dhe dokumente të ndryshme nga çantat dhe portofolat e tyre. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 23.02.2021, në një ndërtesë të braktisur në Shkozë, është gjetur e vetëvarur shtetasja Sh. B., rreth 40 vjeçe. Nga këqyrja paraprake nuk vërehen shenja dhune, përveç asaj të shkaktuar nga vetëvarja. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Tiranë – Vijon puna e pandërprerë për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, 2 automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme. Vihen në pranga poseduesit dhe shpërndarësit e lëndës narkotike. Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për kontrollin e të gjithë territorit, me qëllim evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me lëndë narkotike, merren me shpërndarjen e tyre në afërsi të shkollave apo që i mbajnë në banesë, janë goditur 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në vende të ndryshme, dhe janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, konkretisht: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë shtetasit E. R., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, 1 automjet, një aparat celular, një peshore elektronike që përdorej për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza dhe 200 qese farmaceutike që përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike; S. K., 34 vjeç dhe O. K., 17 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në automjetin me drejtues shtetasin S. K. dhe pasagjer shtetasin O. K., u gjetën sasi me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 1 aparat celular. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Elbasan – Më datë 23.02.2021 janë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”, në ngarkim të shtetasit E. B. dhe po punohet për kapjen e tij.
Gjirokastër – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe fara të dyshuara të bimës narkotike cannabis sativa. Vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin F. Gj., 26 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasi F. Gj. dispononte lëndë narkotike, organizuan punën dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij gjetën dhe sekuestruan rreth 500 gr lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një sasi fara të dyshuara të bimës cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 16 janë arrestuar dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje: 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste: 1 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi në kredi”, në Tiranë, ku autori është ndaluar.
Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, në Shkodër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “vetëgjyqësia”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pengime për ekzekutimin vendimeve të gjykatës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.