Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. H., 19 vjeç, pasi ka vjedhur një aparat celular nga mjeti i shtetasit I. Sh. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u ndaluan shtetasit M. M., 30 vjeç dhe L. C., 39 vjeç, për veprën penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” pasi kanë vjedhur disa bateri nga centrali i një kompanie interneti. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. P., 55 vjeçe, pasi ditën e djeshme ka aksidentuar fëmijën e mitur me iniciale R. D., 6 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; L. M., 47 vjeç dhe L. T., 38 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; A. D., 28 vjeç, pasi ka aksidentuar biçiklistin shtetasin B. R., 68 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Më datë 22.03.2021, në rrugën Tiranë – Ndroq, në ambientet e firmës në pronësi të shtetasit H. B., gjatë natës është vjedhur një sasi e konsiderueshme prizash elektrike. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4, ku mbeti i plagosur 1 shtetas. Vihet në pranga 25-vjeçari i përfshirë në konflikt, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 1 armë zjarri automatik, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe municion luftarak. Vijon puna intensive për kapjen e autorit të plagosjes së 25-vjeçarit. Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4, Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestua në flagrancë (në ambientet e spitalit), shtetasi A. T., 25 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 22.03.2021, rreth orës 19:20, në lagjen nr. 4, Durrës, pas një konflikti fizik të çastit dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, shtetasi A. B. ka plagosur me armë zjarri në krah, shtetasin A. T., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. T., shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 armë të ftohtë (thikë), një kapuç në ngjyrë të zezë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për kapjen e shtetasit A. B. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të shtetasit A. B., si dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve në banesë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në ngarkim të shtetasit A. T.
Krujë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Luzi”. Sekuestrohen rreth 7 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas që u kapën duke transportuar lëndën narkotike. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u organizua puna dhe finalizua me sukses operacioni i koduar “Luzi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit V. K., 29 vjeç, G. K., 25 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë dhe E. M., 25 vjeç, banues në Mat, Burrel. Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në fshatin Luz, në aksin rrugor Fushë Krujë – Laç, duke transportuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me një mjet tip “Benz”, rreth 7 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjete dhe lënda narkotike. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 34 shtetas, konkretisht: 1 është ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 19 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast “Kanosja”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autori po procedohet ën gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Durrës, ku autori është shpallur në kërkim.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me dhunë”, në Tiranë , me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Lezhë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Durrës, ku po punohet për kapjen e autorëve.
Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Korçë.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.