Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 Tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Derven, Krujë – Qëlloi në ajër me armë zjarri, banorët lajmëruan Policinë në 112. Falë reagimit në kohë, Policia vuri në pranga 47-vjeçarin. Sekuestrohet arma e zjarrit tip automatik. Në numrin 112 të Komisariatit të Policisë Krujë kanë ardhur telefonata nga banorët e fshatit Derven se një shtetas po qëllonte me armë zjarri në ajër. Menjëherë shërbimet e Policisë Krujë janë nisur në drejtim të adresës së dhënë, ku shtetasi që qëllonte me armë zjarri në ajër u largua sapo pa forcat e Policisë. Pas krehjes së zonës dhe bashkëpunimit me banorët, Policia lokalizoi, kapi dhe arrestoi në flagrancë shtetasin: A. S., 47 vjeç, banues në fshatin Derven, Krujë. Gjithashtu Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe disa fishekë luftarakë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

 

Kuçovë – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë kapën dhe ndaluan shtetasin E. M., 25 vjeç, banues në Kuçovë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së parë Berat me vendim Nr. 14, datë 15.07.2019 ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”. 25-vjeçari më datë 09.07.2019 në lagjen “11 Shkurti”, Kuçovë, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasit A. P. dhe A.T. (ndaluar më parë) dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme procedurale.

 

Lezhë – Policia e Lezhës, kontrolle dhe shërbime pranë shkollave, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, në afërsi të një shkolle u kap dhe arrestua në flagrancë një shtetas, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, me qëllim “Identifikimin, goditjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shpërndajnë apo tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në ambientet e shkollave apo përreth tyre” bëri arrestimin në flagrancë të shtetasit S. R., 23 vjeç, banues në Ishull Shëngjin, Lezhë. Arrestimi i tij u bë pasi Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dispononin informacione se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza të vogla me lëndë narkotikë të dyshuar Cannabis Sativa. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë dhe perreth saj u gjetën dhe 203 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

 

Skrapar – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 15 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe një armë gjahu. Shpallet në kërkim kryetari i fshatit, poseduesi i lëndës narkotike. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasi D. H. posedonte lëndë narkotike, u ushtrua kontroll në banesën dhe magazinën e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një armë gjahu teke. Në përfundim të veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetasit D. H., 42 vjeç, kryetar i fshatit Barç, Çorovodë. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

 

Mallakastër – I kërkuari për “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”, bie në prangat e Policisë. Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër kapën dhe ndaluan shtetasin M. H., 26 vjeç, banues në Panahor, Mallakastër. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 10.07.2019 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Në datën 22 mars 2019, 26-vjeçari M.H., në bashkëpunim me shtetasit K. S. dhe A.M. (të cilët janë arrestuar nga Policia një ditë pas ngjarjes), pasi ka hyrë i maskuar në një banesë në fshatin Greshicë, nën kërcënimin e armëve të ftohta, ka dhunuar familjarët dhe u ka marrë një sasi lekësh. Pas punës së mirëorganizuar nga policia e Mallakastrës, u arrestuan 2 nga autorët më datë 23 mars 2019 dhe u kap mbrëmjen e djeshme bashkëpunëtori i tretë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

 


Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 70 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 Berat; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Shkodër.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, konkretisht: 2 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë;  1 në Dibër, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 5 në Tiranë, 1 në Berat, 2 në Lezhë, 1 në Kukës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në qarkun Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 13 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar 2 shtetas duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.