Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Vijon operacioni policor i koduar “THE INVITATION”. Goditet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Rinas, një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihet në pranga 1 shtetas i huaj, procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë. Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të operacionit policor të koduar “THE INVITATION”, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, duke arrestuar në flagrancë shtetasin A. B., 49 vjeç, banues në Vaqarr, Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetaset F. B. (D)., 43 vjeçe, H. D., 67 vjeçe dhe A. H. (D)., banuese në Vaqarr, Tiranë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, kryesisht në Egjipt, siguronin ftesa fiktive për persona të ndryshëm të huaj, kryesisht nga Egjipti, për të ardhur në Shqipëri, me justifikimin për qëllime turistike, të cilëve më pas iu siguronin ndihmë për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga vendi jonë drejt vendeve të BE-së. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.
Korçë – I vodhi me dhunë çantën e dorës 37-vjeçares, identifikohet dhe vihet në prangat e policisë autori i dyshuar i ngjarjes, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjeve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 8, Korçë, një shtetas i kishte vjedhur me dhunë, çantën personale shtetases M. M., brenda së cilës ndodheshin 35000 lekë dhe dy karta krediti, shkuan në adresën e raportuar dhe falë veprimeve të shpejta, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e policisë, të autorit të dyshuar të ngjarjes. Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vjedhja me dhunë” të shtetasit A. N., 37 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vjedhje). Në cilësinë e provës materiale, iu gjetën dhe sekuestruan sasia e lekëve dhe kartat e kreditit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 12 janë arrestuar në flagrancë dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.
Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Gjithashtu janë procedur penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 2 të tjerë për falsifikim letërnjoftimesh.
Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Përndjekja” dhe 1 tjetër për “Tregtimi i mallrave kontrabandë“ dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në Korcë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe 1 tjetër për “Vjedhja me dhunë”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.