Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 prill 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Finalizohet një tjetër operacion antidrogë i koduar “Panaja”. Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale. Goditet një tjetër rast i posedimit të lëndëve narkotike. Sekuestrohet lëndë narkotike dhe një armë gjahu pa leje. Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Qendrore Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas ndjekjes me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Panaja”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë në lokalin e tij, shtetasi F. M., 63 vjeç, banues në Panaja, Vlorë. Gjatë kontrollit në lokalin e këtij shtetasi në fshatin Panaja, u gjet një sasi lënde narkotike prej 11 kg e 500 gr. cannabis sativa, si dhe një armë gjahu (teke) pa lejen e organeve kompetente, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale. Operacioni vijon për dokumentimin e plotë, si dhe për kapjen e personave të tjetër të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Dibër – Vijon kontrolli i territorit, për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Hapi lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ, kërcënoi dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë, arrestohet në flagrancë  50-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, krahas angazhimit maksimal për zbatimin e masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara në terren, kanë konstatuar se shtetasi Sh. B. kishte hapur lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin “Bar Kafe” në qytetin e Peshkopisë, shtetasi Sh. B, për shkak të detyrës, i ka goditur, kërcënuar dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrave të tyre për kontrollin e lokalit dhe shoqërimin e tij në komisariat. Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 50 vjeç, banues në Peshkopi, si dhe u mor masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, për subjektin “Bar Kafe” në administrim të shtetasit të lartpërmendur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Kanosja”, “ Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Krujë – Ndëshkohen me masë administrative 700.000 lekë, për shkelje të vetëkarantinimit të detyrueshëm, 3 shtetas të cilët nuk u gjetën në banesë gjatë kontrollit.  Po gjatë kontrolleve ndëshkohen me masë administrative 5 administratorë lokalesh, për hapje të lokaleve në kundërshtim me Aktin Normativ. Gjithashtu vihet në pranga një drejtues mjeti, për qarkullim pa autorizim dhe në gjendje të dehur. Në vijim të angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, strukturat e Policisë së Komisariatit të Policisë Krujë, gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar kontrollet për personat të cilët duhet të zbatonin urdhrin për vetëkarantinim. Në kuadër të Aktit Normativ neni 3, pika 4/c, janë vendosur masat administrative për shtetasit: Sh. P., 51 vjeç, banues në Fushë Krujë, O. H., 28 vjeç, banues në Borizanë dhe A. B., 41 vjeç, banues në Borizanë. Këtyre shtetasve, punonjës në një fasoneri në Krujë, e cila është mbyllur me datë 15.04.2020, iu është thënë të vetëkarantinohen, por ata janë konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tyre dhe janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë. Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara në Krujë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 5 subjekte (lokale) të hapura, ndaj të cilëve është marrë masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi B. Z., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 8, Durrës, duke lëvizur me mjetin tip “Volkswagen” pa autorizimin përkatës dhe në gjendje të dehur, në masën 0.84 mg/l.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 39 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 25 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.