Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, procedohen penalisht 12 shtetas, persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij. Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente.
Lushnjë – Kontrolle të shtuara nga Policia në akset rrugore me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale. Sekuestrohen 54.700 euro dhe 1 automjet, të dyshuara të përfituara nga aktivitet i kundërligjshëm. Procedohet penalisht poseduesi i tyre për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në kuadër të masave të marra për mbajtjen nën kontroll të situatës së rendit në qarkun e Fierit, janë shtuar kontrollet në akset rrugore si edhe në vendet që frekuentohen nga persona me precedent kriminal. Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, u ndalua mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin Z. Gj. Gjatë kontrollit, në automjetin e këtij shtetasi u gjetën 54.700 euro të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktivitet i kundërligjshëm. Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, proceduan penalisht shtetasin: Z. Gj., 28 vjeç, banues në Laç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e eurove dhe automjeti me të cilën udhëtonte ky shtetas. Vijon puna për dokumentimin ligjor në lidhje me burimin e të ardhurave të këtij shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Shkodër – Zbardhet dhe dokumentohet vjedhja e një mjeti luksoz në Plazhin e Velipojës. Ndalohet autori i dyshuar i vjedhjes. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, kanë zbardhur dhe dokumentuar vjedhjen e një mjeti luksoz në plazhin e Velipojës. Në bashkëpunim me strukturat e DVP Lezhë, pas një pune të mirorganizuar u bë ndalimi i shtetasit A. P., 23 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin. Ndalimi i këtij shtetasi u bë, pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së automjetit luksoz, tip “Range Rover”, në pronësi të shtetasit D. D., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka qenë me pushime në plazhin e Velipojës, Shkodër. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jetë i implikuar ky shtetas. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vjedhja”.
Tiranë – Kapen dhe ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë kapur dhe ndaluar shtetasin G. P., 38 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Gjithashtu ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mashtrimi”. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit P. H., 48 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. N., 31 vjeç, sepse në banesë, në prezencë të fëmijëve të mitur, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të narkotikëve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 6 u ndalua shtetasi E. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka kultivuar disa bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Pezë e Vogël. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim i tokës”, për shtetasin F. H., administrator i një firme, pasi në afërsi të urës së lumit Shkumbin u konstatua një mjet i ngarkuar me rërë dhe një ekskavator duke gërmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Shkodër, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 2 në Fier; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Elbasan, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuat në flagrancë dhe 2 autor që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, 1 në Kukës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 3 në Shkodër, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në Fier, 1 rast me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, në Tiranë , me 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të Shkatërrim prone”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë evidentuar 5 raste të “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Lezhë dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.