Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 Gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kredia”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vndore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Operacioni për goditjen e një grupi, pjesë e stafit të një fondacioni për dhënie kredie fiktive me qëllim përfitimin. Përfitimet nga kreditë fiktive, në total, deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro. Në pranga 7 persona dhe një është shpallur në kërkim. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e një fondacioni për dhënie kredie, se një pjesë e stafit të këtij fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas një punë hetimore njëjavore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbrëmjen e djeshme, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Kredia”, duke e finalizuar me ndalimin e 7 personave dhe konkretisht: A. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit, B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit, M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit, M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit, E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit, O. D., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fictive, A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi. Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti. Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje. Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro. Vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.

Tiranë – Finalizohet operacioni “Bulceshi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë. Sekuestrohen 3 armë zjarri, një armë e ftohtë, municion luftarak, si dhe asgjësohen 60 bimë kanabis. Në pranga dy shtetas, si autorë të dyshuar të kultivimit të kanabisit dhe armëmbatjes pa leje. Në kuadër të operacionit masiv për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, është finalizuar operacioni policor “Bulceshi”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 33 vjeç, banues në Zall-Bastar, Tiranë dhe P. N., 58 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Gjatë kontrollit të territorit dhe mbi bazën e informacioneve të grumbulluara më parë, shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur Bulcesh, Njësia Administrative Zall-Bastar, në një zonë malore dhe me bimësi të dendur, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 60 bimë, të dyshuara si bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, dy armë gjahu çifte, një armë të ftohtë thikë, një palë dylbi dhe një sasi municioni. Vijon puna per identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike “, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Vlorë – Finalizohet operacioni “Beshishti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni nga Komisariati i Policisë Vlorë. Në pranga 4 shtetas të dyshuar si autorë të tentativës për kultivim të kanabisit. Sekuestrohen fidanë dhe 100 kubikë të kultivuar me fara kanabis. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Gjormë dhe një inspektor i Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Selenicë. Në kuadër të operacionit masiv për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë është finalizuar operacioni “Beshishti”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. Z., 24 vjeç, banues në Vlorë, D. H., 25 vjeç, banues në Llakatund, A. B., 34 vjeç, banues në Peshkëpi dhe P. K., 47 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, pasi në pyllin e fshatit Beshisht, shërbimet e Policisë gjetën  45 fidanë kanabis të mbjella në tokë dhe 100 kubikë të kultivuar me fara kanabis. Po nga kontrolli i territorit në zonën e Selenicës, në një zonë të pyllëzuar në  Gjormë u gjetën gjatë operacionit masiv ditën e djeshme 40 fidanë kanabis. Në lidhje me këtë ngjarje, u proceduan penalisht për “Shpërdorim detyre” shtetasit P. S., 49 vjeç, banues në fshatin Gjormë, me detyrë kryeplak i këtij fshati dhe A. V., 56 vjeç, banues në fshatin Gjormë, me detyrë inspektor i Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Selenicë. Kontrolli masiv i territorit vijon.

Durrës – Më datë 21.08.2019, rreth orës 02:35, në fshatin Pjeshkë, Durrës, tre persona, njëri prej tyre me armë zjarri kanë tentuar të vjedhin banesën e shtetasit F.M., 48 vjeç, por janë diktuar nga pronari i banesës dhe janë konfliktuar fizikisht me njëri – tjetrin. Shtetasi F.M., është plagosur në këmbë, dyshohet me sende të forta dhe ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punojn për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Bushat, Shkodër – Informacion paraprak: Më datë 21.08.2019, rreth orës 13.10, në oborrin e banesës dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri shtetasi P.D., rreth 70 vjeç, i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit, me të cilën dyshohet se është vetëplagosur shteasi P.D. dhe vijon punën nën drejtimin e prokurorit për sqarimin e plotë të rrethaneve të ngjarjes.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 106 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 11 janë ndalur dhe 75 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Dibër, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në Vlorë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Berat, 1 në Fier, 1 në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje, 1 në Tiranë dhe 2 në Vlorë”; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në qarkun Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë

Janë plotësuar 5 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 3 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Vlorë, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 2 në Lezhë, 2 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar 7 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.