Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 dhjetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë/Dogjën 4 flamuj kombëtar të Serbisë, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë. Strukturat e Policisë së Shtetit, pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës. Këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë. Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.

Durrës/Policia Rrugore, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Sekuestrohen 8.5 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që e transportonin me automjet. Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit Operacional Durrës, që janë të vendosura në pikë kontrolli në aksin rrugor Tiranë- Durrës, në zbatim të Planit të Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë “Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një automjet tip “Benz” transportonte lëndë narkotike, kanë intensifikuar kontrollet duke kontrolluar imtësisht çdo automjet të dyshuar. Drejtuesi i automjetit tip “Benz” që kishte lëndën narkotike në automjet, pasi ka parë shërbimet e Policisë, ka shtuar shpejtësisë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në pikën e kontrollit. Patrullat e Policisë Rrugore dhe shërbimet e tjera të DVP u vunë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e mjetit, së bashku me dy personat që qarkullonin me këtë automjet. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e mjetit, gjetën dhe sekuestruan 8.5 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të vendosur në arka bananesh. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. N., 30 vjeç, banues në Vaqarr, Tiranë (drejtues i mjetit) dhe G. R., 36 vjeç, banues në Burrel (pasagjer në mjet). Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 19 janë arrestuar në flagrancë dhe 42 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 4 të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” në Tiranë me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” në Elbasan, ku autori po procedohet në gjnendje të lirë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje” në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14, 1 rast në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, dhe 13 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për vjedhje të energjisë elektrike.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 1 tjetër për “Goditje për shkak të detyrës”. Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe 1 tjetër, për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Gjirokastër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhen akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për shkatërrim prone.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Brakstisja e fëmijëve të mitur”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për kundërshtim të punonjësit të policisë.

Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjëjsit të policisë” dhe 1 tjetër për “Falsifikim dokumentesh”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.