Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Sekuestrohen 13.5 gr. kokainë. Arrestohet në flagrancë një 21-vjeçare. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen: A. B., 21 vjeçe, banuese në Durrës. Gjatë kontrollit fizik ndaj kësaj shtetaseje, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 13.5 gr. lëndë narkotike, e dyshuar kokainë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 46 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 12 raste, 3 në Vlorë, 8 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.