Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 prill 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë-Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Taxi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.Sekuestrohen 900 gramë kokainë dhe një aparat celular. Vihet në pranga 24-vjeçari që posedonte kokainën dhe e shpërndante atë në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë operacionit janë goditur edhe dy raste të shpërndarjes së drogave në doza dhe janë vënë në pranga edhe 2 shtetas të tjerë.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike.Në kuadër të operacionit “Taxi”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. T., 24 vjeç, banues në Krujë.Ky shtetas, për të shmangur kontrollet nga Policia, lëvizte me taksi. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, 24-vjeçari u kap duke qarkulluar si pasagjer në një mjet taksi, në rrugën “Asim Vokshi”. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policë, shtetasit K. T. iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 900 gramë kokainë dhe një aparat celular.Po në vijim të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 25 vjeç dhe M. Xh., të dy banues në Kamzë, pasi gjatë kontrolleve fizike nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Krujë-Finalizohet, nga Policia e Krujës, operacioni policor i koduar “Krasta”.Dhunoi në një zonë të pyllëzuar në Krastë një 20-vjeçar, duke i hequr në mënyrë të paligjshme lirinë për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 22-vjeçari nga Fushë-Kruja.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, më marrjen e njoftimit se një 20-vjeçar ishte marrë me forcë, në automjet, nga një person ende i paidentifikuar, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e këtij personi.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta” u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. H., 22 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Ky shtetas kishte marrë në automjetin e tij tip Audi, 20-vjeçarin B. A., banues në Fushë-Krujë, duke e çuar në një vend të pyllëzuar në Krastë, të cilin, më pas e ka goditur me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit. Shtetasi D. H. i ka mërrë shtetasit B. A. edhe telefonin që ky i fundit kishte në përdorim.Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip Audi, që drejtohej nga shtetasi D. H., u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, telefoni, që i përkiste shtetasit B. A.Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj ngjarjeje.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe Vjedhja me dhunë“.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 101 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 18 janë arrestuar, 73 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 4 shtetas të arrestuar dhe me 7 tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste: 4 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Kanosja”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 2 shtetas të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Përndjekja”, vepra e parë rezulton me 1 shtetas të arrestuar, ndërsa vepra e dytë rezulton me 1 shtetas të ndaluar.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, njëri prej tyre me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, të bashkëshoqëruar me veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të arrestuar.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 4 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas në kërkim dhe 4 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast të veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, edhe për veprën penale “Pushtimi i tokës” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e zjarrvënies është evidentuar 1 rast, me autorë të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 14 raste, 7 prej tyre me autorë të paidentifikuar, 1 rast ka mbetur në tentativë, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa 6 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vjedhja me dhunë”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Mashtrimi” , me 1 shtetas të ndaluar dhe 5 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë; janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me 8 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Falsifikimi kompjuterik”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, me 8 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprat penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, vepra e parë me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa vepra e dytë rezulton me 1 shtetas të arrestuar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, 2 prej të cilëve vetëm me dëme materiale, ndërsa 6 rastet e tjera rezultojnë me 8 shtetas të dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 12 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 4 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.