Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: R. G., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kanabis; D. Z., 27 vjeç dhe R. C., 29 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues D. Z dhe pasagjer R. C., gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar kanabis dhe kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. M., 24 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase 25-vjeçare. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. X., 32 vjeç, pasi qenë punëtor i një bilardoje prej 5 vitesh, vendoste në dispozicion ambientin e bilardos, për të bërë organizimin e lojërave të lotarive të palejuara. Gjatë kontrollit në ambientet e brendshme të bilardos, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një aparat celular dhe një njësi kompjuteri. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. D., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një dorezë metalike e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. I., 54 vjeç dhe E. P., 24 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. •Më datë 18.05.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për shoqërimin e shtetasve I. N., 58 vjeç dhe K. N., 24 vjeç, pasi në rrugën “Riza Cerova”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me grushte shtetasin A. H. •Më datë 19.05.2021, në rrugën “Ali Demi”, për motive të dobëta, kanë goditur me grusht shtetasin R. K., 59 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Më datë 19.05.2021, gjatë kontrollit të territorit, shërbimet e policisë kanë gjetur të fshehur pranë serave të fshatit Berxullë, bashkia Vorë, një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Punohet për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorit në lidhje me këtë ngjarje. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bradasheshi”. Goditet një rast i trafikimit të minave me telekomandë. Sekuestrohen dy mina me telekomandë. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të minave me telekomandë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që ndodhej në një lokal në fshatin Bradashesh, Elbasan, kishte me vete mina me telekomandë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bradasheshi, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: A. K., 48 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Mat – Qëlloi me armë zjarri në ajër duke shkaktuar panik tek banorët e zonës, falë ndërhyrjes në kohë të Policisë kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari. Sekuestrohen një armë zjarri pushkë, municion luftarak dhe 4 pako me lëndë plasëse. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas një telefonate në numrin 112, nga banorët e zonës që kërkonin ndihmë, pasi në fshatin Prell, një banor i zonës po qëllonte me armë zjarri duke rrezikuar jetën e banorëve dhe kalimtarëve të rastit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe në mënyrë profesionale kanë ndërhyrë duke neutralizuar dhe vënë në pranga shtetasin B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Prell, Mat. Ky shtetas po qëllonte në ajër me armë zjarri pushkë në oborrin e banesës së tij. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pushkë, një sasi municioni luftarak dhe katër pako me lëndë plasëse. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme. Policia e Dibrës falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin dhe i fton të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Fier – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë 25-vjeçari. Procedohet penalisht dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, një armë gjahu sportive pa leje dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, kanë intensifikuar punën dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara kanë arrestuar në flagrancë shtetasin K. M., 25 vjeç, banues në Verri, Fier. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Verri, duke qarkulluar me automjetin tip “Ford”, me pasagjer shtetasin G. K., 23 vjeç, banues në Verri, Fier. Gjatë kontrollit në automjet u gjet një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe 10 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e 25-vjeçarit u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu sportive pa leje dhe fishekë luftarak. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, si dhe u procedua penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi G. K. Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Mirditë – Tentoi të vriste një shtetas duke e përplasur me automjet, arrestohet në flagrancë nga Policia. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin D. D.,67 vjeç, banues në Mirditë. Ky shtetas, me vetëgjyqësi, duke pretenduar mbi pronësinë e tokës, ku një kompani kryente punime, në aksin rrugor Rrëshen-Rubik, ka tentuar të vrasë duke e përplasur me automjetin e tij punonjësin e kësaj kompanie shtetasin N. H., banues në Kukës. Shtetasi N. H., pas mjekimit të marrë në spital është larguar në banesë. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Vetëgjyqësia”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 24 janë arrestuar në flagrancë dhe 68 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 15 raste, 7 në Tiranë, 2 në Elbasan, 2 në Korçë, 2 në Kukës, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Është proceduar penalisht dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Përndjekja”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, në Korçë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Është proceduar penalisht 1 shtetas, në Tiranë, për të njëjtën vepër penale.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Elbasan janë proceduar penalisht 4 shtetas, 1 për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve sportive” dhe 2 për “Pushtim toke”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 4 viktima dhe 6 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 14 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.