Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 Korrik 2019

Fier – Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të policisë vë në pranga autorin e vjedhjes me dhunë të dy varëseve të floririt të një shtetaseje. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale varëset e floririt. Zbardhen dhe dokumenton edhe 8 vjedhje motoçikletash dhe biçikletash të kryera nga ky shtetas. Në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në numrin unik 112 ka ardhur një telefonatë për ndihmës nga shtetase, se në lagjen “Bishanak” Fier një shtetas rreth 40 vjeç i ka marrë me forcë nga qafa dy varëse floriri dhe është larguar me vrap. Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë të cilat janë vënë menjëherë në ndjekje të autorit të dyshuar, ku pas disa minutash ndjekje kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit  M.L, 40 vjeç, banues në Fier, të cilit në momentin e kapjes ju gjetën edhe dy varëset e shtetases që telefonoi Policinë për ndihmë. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë dokumentimi ligjor i 8 vjedhjeve të motoçikletave dhe biçikletave në qytetin e Fierit ku autor i dyshuar është shtetasi M.L.

Konkretisht:
• Në datë 20.04.2019, dyshohet se ka vjedhur motorin e shtetasit A.B, në lagjen “1 Maj”.
• Në datë 26.06.2019, dyshohet se ka vjedhur motorin e shtetasit A.R, në Petovë.
• Në datën 02.07.2019, dyshohet se ka vjedhur motorin e shtetasit S.D, në lagjen “29 Nëntori”.
• Në datën 15.07.2019, dyshohet se ka vjedhur motorin e shtetasit V.H, në Hasturkas.
• Në datën 22.01.2019, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit T.B, në lagjen “Konferenca e Pezës”, Fier.
• Në datën 07.03.2019, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetases J.H, në lagjen “11 Janari”.
• Në datën 06.03.2019, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e E.N, në lagjen “15 tetori”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Manëz, Durrës – Qëlluan me armë zjarri në ajër në mesnatë, duke krijuar panik tek banorët, arrestohen në flagrancë nga Policia dy adoleshentët. Sekuestrohet një armë zjarri pushkë dhe fishekë. Shërbimet e Postës së Policisë Manëz, falë informacionit të qytetarëve dhe reagimit në kohë, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve K.N., 18 vjeç dhe D.S.,17 vjeç, banues në fshatin Rrushkull. Arrestimi i tyre u bë pas informacioneve të marra nga qytetarët se këta shtetas në fshatin Rrushkull, ishin duke qëlluar me armë zjarri në ajër duke krijuar panik te banorët. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar në flagrancë, 11 janë ndalur dhe 68 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 11 shtetas në kërkim: 2 në qarkun Tiranë, 8 në Durrës, 1 në Korçë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, në qarkun Tiranë, ku 1 autor është arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 2 në Durrës; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 4 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” në qarkun Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 të arrestuar, si dhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, ku autorët janë shpallur në kërkim; 1 në Elbasan, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Lezhë, 2 në Fier ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 shtetas që ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, i cili po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezkut për jetën dhe 1 viktimë.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 3 në Elbasan, 2 në Gjirokastër të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.