Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Linza”. Operacioni nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Durrës. Kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari nga Durrësi, i shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. 26-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”. Në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike dhe të atyre të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një person të shpallur në kërkim për krime kundër personit, që qarkullonte me automjet në segmentin rrugor Linzë-Surrel, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Linza”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim: M. B., 26 vjeç, banues lagjen nr.17/1, Durrës. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas dyshohet se më datë 09.12.2021, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. S., i cili mbeti i plagosur. Menjëherë pas ngjarjes, shtetasi M. B. është larguar nga vendi i ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Durrës – Shpërdoruan detyrën dhe kompetencat, procedohen penalisht kryetari dhe anëtari i shoqatës KF Erzeni. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës proceduan penalisht shtetasit M. Sh., me detyrë kryetari i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni dhe F. D., anëtar i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni, për veprat penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Për këta shtetas është bërë kallëzim nga ana e Drejtorisë së Shumë Sporteve në Bashkinë Shijak, se dyshohet që shtetasit M. Sh. dhe F. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kompetencat, duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Elbasan/Informacion paraprak – Më datë 20.01.2022, në orët e para të mëngjesit është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal Elbasan, në gjendje të rëndë për jetën, shtetasi M. T., 31 vjeç, i cili më pas është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku dhe ka ndërruar jetë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka ndërruar jetë nga konsumimi i lëndës narkotike në mbidozë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 12 janë arrestuar në flagrancë dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9  autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja” dhe 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 4 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Fier dhe 1 në Elbasan.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër.

Në Dibër është proceduar  penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe 1 tjetër për veprën penale “Përndjekja”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi në kredi” dhe “Falsfikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Fshehja e të ardhurvae” dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për prerje të paligjshem të pyjeve, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër.

Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale ‘Organzimi i lotarive të palejuara” dhe 1 tjetër për “Vetëgjyqësia”.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, me 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.