Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 2 maj 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër-Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 17”.Transportonin 11 emigrantë nga vendet e treta, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen një automjet, tre aparate celulare dhe 50 euro.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 17”.Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. S., 21 vjeç dhe B. A., 31 vjeç, banues në Durrës.Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Rrugore kapën në flagrancë, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije, shtetasit Xh. S. dhe B. A., duke transportuar me një automjet tip furgon, 11 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, tre aparate celulare dhe 50 euro. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Kukës-Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.Sekuestrohen një armë zjarri, një armë gjahu, municion luftarak dhe fidanë të dyshuar narkotikë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 36 vjeç, banues në fshatin Lojme, Kukës, pasi ka bërë kallëzim vajza e tij 14 vjeçe, se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, në mënyrë të përsëritur.Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materilale, një armë zjarri, një armë gjahu çifte, sasi municioni luftarak dhe disa fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 9 janë arrestuar, 40 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Kanosja” me 1 shtetas të ndaluar, si dhe 3 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të arrestuar, ndërsa për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të ndaluar; “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të ndaluar dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, me 2 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt zjarrvënien janë evidentuar 3 raste, 1 prej të cilëve me autorë ende të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë ngjarje aksidentale.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 6 raste, prej këtyre 3 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 3 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve 7 shtetas janë dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej të cilëve rezultojnë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa 13 rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të arrestuar dhe 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.