Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë – Vijon të rritet besimi i qytetarëve te Policia. Informacioni i ardhur nga qytetarët dhe reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga dy shtetas. Arrestimi i njërit shtetas pasi kishte thyer vendimin e Gjykatës “Arrest shtëpie” dhe arrestimi i shtetasit tjetër pasi qarkullonte me armë zjarri në brez. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë marrë informacion nga qytetarët se një shtetas i cili ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie” po qarkullonte me makinë në Rrëshen së bashku me një shtetas tjetër, i cili dyshohej se kishte armë zjarri me vete. Mbi bazën e këtij informacioni, Njësia operacionale “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me forcat policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, kanë ndërhyrë duke bërë bllokimin e automjetit dhe të dy shtetasve që ndodheshin në të. Në përfundim të verifikimeve dhe të kontrolleve fizike, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: -E. N., 24 vjeç, banues në Lezhë, i cili udhëtonte me mjetin e tij larg banesës, në aksin rrugor Rrëshen – Milot, edhe pse ndaj tij me vendim datë 10 Prill 2019, Gjykata e Apelit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Si dhe shtetasin N. K. 28 vjeç, banues në Lalm i Ri Lezhë, pasi ishte pasagjer në automjetin që drejtohej nga shtetasi E. N. dhe gjatë kontrollit fizik policia i gjeti këtij shtetasi në brez një armë zjarri tip pistoletë me pesë fishekë, të cilën e mbante pa leje. Materialet procedurale i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë në ngarkim të shtetasit E. N., për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” dhe në ngarkim të shtetasit N. K., për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, falënderon qytetarët për mbështetjen dhe nxit këdo që konstaton paligjshmëri të njoftojë në numrin unik 112, në Komisariatin Digjital apo në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt si dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm.
Shkodër – Falë bashkëpunimit me qytetarët dhe reagimit të shpejtë të Policisë u arrestua në flagrancë një shtetas. Sekuestrohet arma e zjarrit. Nga shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja falë reagimit të shpejtë dhe në kohë rekord u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. I. 25 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen “Guerile” Shkodër, ka qëlluar në ajër me armë zjarri, ku menjëherë janë dërguar shërbimet e Policisë ku kanë bërë neutralizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit,(një kallashnikov). Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” e “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 274 e 278 të Kodit Penal.
Klos, Mat – Shërbimet e Stacionit të Policisë Klos morën informacion nga qytetarët se shtetasi në kërkim Ari Hoxha, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gurrë, i armatosur po shkonte në drejtim të banesës së bashkëshortes, në fshatin Plan i Bardhë Klos. Shërbimet e Policisë të Stacionit Klos u nisen menjëherë drejt adresës ku kishin marrë informacion për personin e armatosur, i cili ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhunë në familje”. Shërbimet e Stacionit të Policisë Klos kanë kërkuar përforcime dhe kanë rrethuar në distancë banesën. Në pritje të ardhjes së përforcimeve nga DVP Dibër, shërbimet e Policisë kanë dëgjuar një të shtënë armë zjarri. Rreth 150 metra larg banesës së vjehrrit është gjetur dyshohet i vetëvrarë me një plumb në kokë shtetasi Ari Hoxha. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Matit është në vendngjarje ku vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, nga këta: 13 janë arrestuar në flagrancë, 50 ndiqen në gjendje të lirë dhe 5 janë ndaluar.
Është ndalur 1 shtetas në kërkim, në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, 1 rast në Korçë, 1 në Berat, 1 në Fier, 1 në Vlorë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në qarkun Vlorë, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Lezhë, 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Tiranë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 12 raste të “Dhuna në familje”, 4 raste në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë dhe 2 raste në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 rast në Vlorë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, 1 në Berat, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 1 në Dibër, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 7 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Është evidentuar 1 drejtues mjeti i pa pajisur me leje drejtimi, në qarkun Vlorë, i cili po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 drejtues mjeti që drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit dhe pa leje drejtimi, në qarkun Fier, i cili është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 drejtues mjeti që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 1 në qarkun Tiranë, 2 në Korçë, 1 në Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.