Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje, falë bashkëpunimit me qytetarët. Hyri në lokal me armë zjarri me vete, arrestohet në flagrancë një 38-vjeçar. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcën “Shqiponjat”, pas telefonatës së marrë në sallën operative të DVP Durrës se në ambientet e një lokali ndodhej një person i armatosur, organizuan punën dhe menjëherë shkuan në adresën e dhënë nga qytetari. Shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi pas kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Ekol”, të cilën e mbante pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg.
Memaliaj – Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së drogave në doza të vogla. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Sekuestrohen 2 armë zjarri, një pushkë sportive dhe 20 doza me lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe Stacionin e Policisë Memaliaj bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Ç., 32 vjeç, banues në fshatin Krahës 1, Bashkia Memaliaj. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi: 1 armë zjarri pistoletë “Zastava”, 1 armë gjahu teke, një pushkë sportive (të cilat i mbante pa leje), municion luftarak dhe 20 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Dibër, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 4 raste, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Lezhë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë;
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë;
Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.