Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 19 nëntor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijon operacioni policor i koduar “Rodoni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve. Kapet dhe ndalohet një prej personave të shpallur në kërkim gjatë operacionit. Më herët, gjatë operacionit, u arrestuan 18 persona dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të operacionit policor të koduar “Rodoni”, specialistët për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar në Drejtorinë Vendore Durrës kapën dhe ndaluan shtetasin A. R., 32 vjeç, banues në Katund i Ri, Sukth, Durrës. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, e kryer në bashkëpunim. Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kukës – Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Specialistët për hetimin e trafiqeve të paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit B. D., 29 vjeç, banues në Tiranë dhe M. R., 22 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke transportuar shtetas sirianë, të cilët nuk dispononin dokumente identifikimi. Shtetasi B. D. u kap në hyrje të qytetit të Kukësit, ku në automjetin tip BMË po transportonte 5 shtetas sirianë. Ndërsa shtetasi M. R. u kap në aksin Kukës – Morinë, tek kthesa e Kolshit, ku në automjetin tip Furgon, po transportonte 7 shtetas sirianë. Shtetasit B. D. dhe M. R. do t’i ndihmonin shtetasit sirianë që të kalonin kalonin kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit, në mënyrë të paligjshme, me destinacion final një nga vendet e BE-së. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Shkodër – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.  Arrestohet një 20-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë një 18-vjeçar, për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike, e ndarë në doza. Nga strukturat e DVP Shkodër, në zbatim të planit të masave për goditjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike në lokale dhe ambientet e tjera është marrë informacion në rrugë operative dhe është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. N. 20 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër.  Si dhe është proceduar në gjendje të lirë shtetasi M. M., 18 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër. Arrestimi i A. N. u bë pasi së bashku me shtetasin M. M., në lagjen “Vasil Shanto”, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve u është gjetur nga një qese plastike me lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe në afërsi të tyre është gjetur një thikë dhe një paketë cigaresh, brenda së cilës kishte lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë 4.6 gr., e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje të armëve të ftohta”.

Shkodër – Vijon operacioni policor i koduar “Fermentimi”, kundër informalitetit, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të prodhimit të produkteve ushqimore. Kapet dhe ndalohet nga shërbimet e PKK Muriqan pronari i fabrikës i shpallur në kërkim. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Shkodër u ndalua shtetasi në kërkim G. B. 61 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër. Në lagjen “Skënderbeg”, në zonën industriale ish-fermentimi, në punishten e firmës së këtij shtetasi, më datë 16.10.2019 është konstatuar se prodhoheshin përsëri produkte të ndryshme ushqimore në kundërshtim me ligjin, edhe pse e kishte të ndaluar që nga data 28.03.2018 prodhimin e artikujve ushqimorë. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”, 2 në Gjirokastër, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Fier; 3 rast të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar raste 13 raste, 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 12 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Vlorë dhe 3 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 ën Tiranë, 1 ën Elbasan dhe 2 në Lezhë.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.