Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 19 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Tabacino”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Operacioni nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me agjentët e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Fier. Vihet në prangat e Policisë 26-vjecari, që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë. Sekuestrohet lëndë narkotike kokainë e ndarë në 88 doza gati për shitje. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për një shtetas që në dyqanin e tij tabakino, posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike të forta në doza,  kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Fier finalizuan operacionin policor të koduar “Tabacino”. Gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen “11 Janari”, Fier, në dyqanin tabakino në pronësi të shtetasit A. M., si edhe më pas gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjetën në total dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 88 doza me lëndë narkotike kokainë, 40 grirëse bimore si ato që përdoren për përgatitjen e lëndës narkotike kanabis sativa, qeska dhe sende të tjera që përdoreshin për përgatitjen dhe  shitjen e lëndës narkotike të llojit Kokainë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 26 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tepelenë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Antenat”. Vihet në pranga një person me rrezikshmëri shoqërore, i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe FNSH Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale  në fushën e narkotikëve dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet policore se në fshatin Buz, Memaliaj, ndodhej një person i shpallur në kërkim, organizuan punën dhe  finalizuan me sukses operacionin policor “Antenat”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja e shtetasit O. A., 28 vjeç, banues në Tiranë (me precedent në mëparshëm penal, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Kanosja”, “Vjedhja”, “Mashtrimi”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 13.10.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Materialet në ngarkim të shtetasit O. A. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 13 janë arrestuar në flagrancë dhe 55 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2  autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, 3 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan dhe 2 në Fier; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 2 në Berat dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 4 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, me 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “Mashtrimi”, Vlorë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Fier dhe 1 në Korçë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, 1 në Elbasan ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në Berat është proceduar  penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 4 shtetas: 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 për “Prerja e paligjshme  e pyjeve”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe 1 për “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndotja e ajrit”, 1 në Tiranë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Vlorë me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas për falsifikim dokumentesh dhe 1 tjetër për “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, me 2 viktima dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.