Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Paketimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier. Sekuestrohen 865 gramë kanabis, një pjesë e së cilës ishte bërë gati për shitje në 114 doza. Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike, procedohet penalisht shtetasi që dyshohet se do ta blinte. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Paketimi”, gjatë të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. C., 41 vjeç, banues në Lushnjë. Si rezultat i operacionit, në lagjen “Kadri Qystri” Lushnjë, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin K. C., i cili do t’i shiste lëndën narkotike të bërë gati në doza, shtetasit T. Dh. U procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi T. Dh., 53 vjeç, banues në Lushnjë, i cili dyshohet se do të blinte lëndën narkotike. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. C, u gjet dhe sekuestrua sasia e lëndës narkotike 865 gram cannabis sativa, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në 114 doza, gati për shitje. Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një peshore elektronike që shërbente për të bërë gati në doza të vogla lëndën narkotike, një aparat celular dhe një sasi parash. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.

Gjirokastër – Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 17.06.2020, në fshatin Labovë e Zhapës, ku humbi jetën 60-vjeçari A. Xh. Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. Xh. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Labovë e Zhapës, ku pas një konflikti mes dy shtetasve humbi jetën shtetasi A. Xh., 60 vjeç, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes. Falë punës së mirorganizuar hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorit në kohë reale, kapja dhe shoqërimi i tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. K., për veprën penale “Vrasja me dashje”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë  Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun, për respektimin e protokolleve të sigurisë, për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Kontrollet, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Shëndetësisë, Inspektoratin i Punës dhe AKU, të mbështetura nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës. Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar administrativisht 6 subjekte, si dhe është pezulluar një tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Shëndetësisë, Inspektoratin e Punës dhe AKU, si rezultat i kontrolleve të shtuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19, morën masa administrative ndaj disa subjekte të renditura si më poshtë: Në lagjen nr. 13, Plazh, janë gjobitur me masë administrative 1 milion lekë të vjetra, 3 subjekte, konkretisht një piceri në administrim të shtetasit Xh. A., një lokal në administrim të shtetases Sh. A. dhe një subjekt bar kafe në administrim të shtetasit I. I. Në lagjen nr. 1, Durrës, është gjobitur me masë administrative 1 milion lekë të vjetra, një parukeri në administrim të shtetasit E. T., ndërsa një bar restorant në administrim të shtetasit V. N. dhe një yogurteri në administrim të shtetases M. M., janë gjobitur me masë administrative 10 milionë lekë të vjetra. Gjithashtu, gjatë kontrolleve u bllokua subjekti bilardo në administrim të shtetasit A. N., i cili nuk dispononte licencën përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Tiranë – Vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B. Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e shtetasit H. B. Më parë është shpallur në kërkim dhe një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës dhe Sektori i Forcës Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, pas një pune të mirorganizuar dhe të pandërprerë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur ndalimi i shtetasit S. M., 22 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, në datën 11.06.2020, rreth orës 21:50, në rrugën ”Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit H. B. Shtetasi S. M. është nipi i shtetasit P. M., i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga shtetasi H. B.  Menjëherë, pasi ndodhi kjo ngjarje është bërë edhe shpallja në kërkim e shtetasit V. M., si një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar 3 automjete dhe një sërë provash të tjera materiale, me të cilat dokumentohet implikimi i këtij shtetasi në këtë ngjarje. Ndërkohë, vazhdon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet për ndalimin e shtetasit S. M. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, e kryer në bashkëpunim dhe ”Armëmbajtja pa leje”.

OFL, 18 qershor – Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: M. Z., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”; L. I., banues në Tiranë, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me dhunë”; F. X., banues në Kurbin, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe Gj. K., banues në Lezhë, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 9 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 71 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 16 raste: 7 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Shkodër dhe 1 në Gjirokastër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Vlorë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Korçë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.